Chelsea që Abramovich e shpëtoi 20 vite më parë, sot mund të nxjerrë nga telashet manjatin

Kanë pasuri që kapin vlerën e miliarda dollarëve, por sanksionet në fund të ditës kanë nisur të dëmtojnë edhe ata, oligarkët e Moskës, mes të cilëve edhe ish-presidenti i Chelseat, Roman Abramovich. Nuk është më i pasuri mes shumë të tjerëve që i kanë mbajtur anën presidentit rus, por sigurisht është njeriu që ngjall më shumë interes mediatik për shkak të arritjeve të tij me klubin londinez që e ka shndërruar në një markë botërore pasi e bleu rreth dy dekada më parë të zhytur në borxhe.

Rënia e “Perandorisë Roman” rrëfehet deri në detaje pothuajse çdo ditë nga tabloidet britanikë dhe në këtë mes diçka të vërtetë ka. Abramovich është treguar i shkathët duke spostuar shumë asete në Izrael, Turqi apo vende të tjera që nuk i kanë vendosur sanksione por në Londër ka ende pasuri që kapin vlerën 7.6 miliardë dollarëve. Nuk bëhet fjalë vetëm për Chelsean por edhe për pasuri të paluajtshme apo vapra arti që ai synon t’i shesë sa më parë që të jetë e mundur.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Momentalisht, Abramovich ka pak likuiditet për të qarkulluar por shpëtimi mund të vijë pikërisht nga klubi që e rriti duke arritur kulmin vetëm pak muaj para nisjes së luftës në Ukrainë duke e ngjitur deri në majën e botës. Chelsea vlerësohet deri në 3 miliardë por qeveria Britanike po e monitoron rreptësisht procesin e ankandit dhe ende nuk ka një emër zyrtar për blerjen e bluve të Londrës.

Kohë të vështira për një njeri të mësuar me shpenzime luksi pasi i janë bllokuar gjithashtu edhe disa avionë privatë dhe jahte marramendëse. Gjithsesi, për Abramovich një rreze drite në fund të tunelit ka. Atë e ka sanksionuar BE dhe Britania e Madhe por jo SHBA dhe kandidatët më të mundshëm për blerjen e Chelseat janë pikërisht nga përtej Atlantikut. Kohë të vështira për manjatin e industrisë së rëndë, njeriun karizmatik që herë shfaqet si negociator në bisedimet e paqes mes Rusisë e Ukrainës e herë si president klubi në mërgim dhe në kërkim të një blerësi për ta nxjerrë nga telashet.