Armatimi i Serbisë/ Zaimi: Deklarata e Ramës e pamatur, Shqipëria të distancohet nga çdo vend në linjë me Rusinë
Natën mes 8 dhe 9 prillit, avionët transportues të forcave ajrore kineze fluturuan mbi Serbi.
Në lidhje me këtë, analisti Arbër Zaimi, në një intervistë për RTV Ora me gazetarin Sebastian Zonja, është shprehur se Rusia po provon që ta eksportojë konfliktin diku tjetër.
Sipas tij armatimi i Serbisë duhet të jetë diçka shumë shqetësuese për NATO-në, dhe vendet e rajonit.
Arbër Zaimi: Është armatim që vjen nga dy shtete shumë të mëdha. Duke pasur parasysh se ne Ukrainë operacioni ushtarak rus ka gjetur një limit dhe nuk po mbërrin dot të shtyhet më tej, tani mund të jetë moment kur Rusia provon ta eksportojë konfliktin diku tjetër. Armatimi i Serbisë duhet të jetë diçka shumë shqetësuese për NATO-ne, dhe vendet e rajonit.
Ai komentoi dhe deklaratën e Edi Ramës, i cili tha se Serbia po armatoset për t’u mbrojtur. Zaimi thekson se fjala e Kryeministrit ishte e pamatur, ndërsa ka theksuar se Shqipëria duhet të distancohet nga çdo vend që rreshtohet në linjë me Rusinë
Arbër Zaimi: Patëm një shprehje të pamatur nga Edi Rama, i cili tha se ky është armatim , për mbrojtje. Ai duhet të flasë me përgjegjësi. Nga kush po mbrohet Serbia. Këto janë shprehje të pamatur dhe të pasakta. Sigurisht Serbia nuk po merr vetëm armatim mbrojtës, por edhe tanke, helikopterë, dhe po përgatitet të marrë dhe avionë gjuajtës. Dua të them se Shqipëria duhet të distancohet nga çdo vend që rreshtohet në linjë me Rusinë.
Përgatiti Anila Kolgjini.
