Kurti nuk heq ‘traun’ për shqiptarët
Megjithëse me rreth 20 raste në ditë, qeveria e Kosovës nuk ka ndërmend të lehtësojë masat për shqiptarët për të hyrë vend. Ministri i Shëndetësisë justifikohet me ato pak vende në SHBA të cilat kanë ende kufizime.
Kosova ka regjistruar vetëm 22 raste të reja pozitive me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit.
Rastet pozitive atje janë më pak se 500, ndërsa popullsia e vaksinuar me të dyja dozat është rreth 44%.
Por me gjithë situatën e mirë pandemike, qeveria Kurti nuk heq dorë nga lehtësimi i masave anti-covid.
Të shtunën, ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi u mundua të justifikohej me situata të tjera epidemike, jo si ajo e Kosovës, për të thënë se masat e vendosura në 1 mars nuk do të ndryshojnë.
Latifi: "Tash për tash (masat) kanë me mbet kështu siç janë. Siç po shihet vendet e ndryshme janë në telashe me COVID-in, shembull sa mësova para dy ditëve se Filadelfia i ka vendosur maskat brenda në çdo vend, i ka bërë mandatore. Neve na duhet me pa se si po rrjedhë çështja me zhvillimin e COVID-it."
Ministri vendosi t’i bjerë nga Kina, për të treguar situatën në Shangai, e cila është një politikë e ndjekur nga qeveria kineze për të dhunuar qytetarët që nuk mbajnë maska.
Latifi zgjodhi të krahasohet me qytetin e Filadelfias në SHBA, por nuk tha se në shtete të tjera amerikane si Florida, Teksas e të tjerë nuk ka asnjë lloj kufizimi edhe pse ndoshta rastet ditore në proporcion me popullsinë, atje janë më të larta se në Kosovë.
Qeveria Kurti ka zgjedhur edhe këtë muaj të dytë të pranverës që të lërë 55% të popullsisë të Shqipërisë të mos hyjë në Kosovë.
Një test PCR anti-covid kushton të paktën 25 euro e po ashtu me rritjen e çmimit të karburantit, të vizitosh Kosovën është bërë një mision i pamundur.
Masat të cilat janë në fuqi në Kosovë që prej 1 marsit lejojnë vetëm të vaksinuarit me 2 doza që të hyjnë në vend, ndërsa të tjerët duhet të kryejnë një test PCR.