Rinis dialogu Kosovë-Serbi, negociatorët e dy vendeve do takohen në Bruksel për targat

Qeveria e Kosovës ka bërë me dije se javën e ardhshme në Bruksel do të mbahet takimi i radhës për gjetjen e një dakordësie për targat e automjeteve në kufij mes Prishtinës e Beogradit pas përfundimit të marrëveshjes gjashtë mujore e cila pasoi trazira në veri.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe drejtori i rremë i zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç pritet të takohen javën e ardhshme në Bruksel në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Dy krye-negociatorët për dialogun pritet të diskutojnë për një marrëveshje për targat e automjeteve pak ditë përpara skadimit të marrëveshjes së tetorit.

Nga opozita, deputetja e AAK-së Time Kadrijaj thonë se është humbur shumë kohë duke u marrë me dialog teknik dhe se Prishtina duhet të përfshihet në proces politik për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Nga ana tjetër, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se mosarritja e një marrëveshjeje përfundimtare për targat do të çonte në bërjen fajtor të Serbisë e paskëtaj do të ndikonte për keq në procese të tjera të Beogradit në BE.

Deri tani janë mbajtur disa raunde të negociatave për targat mes grupeve të ekspertëve nga Prishtina e Beogradi, por ende nuk është gjetur zgjidhja finale. Në tetor të vitit të kaluar, palët arritën një marrëveshje të përkohshme gjashtëmujore për vendosjen e afisheve në targat e veturave.