Sulmi ndaj policisë së Kosovës në veri, vjen reagimi i Vjosa Osmanit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reguar në lidhje me sulmin që u është bërë automjeteve të Policisë së Kosovës nga persona të panjohur në veri të vendit, në aksin Mitrovicë-Zubin Potok.
Osmani thotë se këto veprime janë tentativa për të destabilizuar situatën e sigurisë politike në Kosovë.
‘’Këto veprime të shoqëruara me tentativa dezinformuese synojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë dhe politike në Kosovë’. Ata do të dështojnë, shteti i së drejtës do të mbizotërojë’’ thuhet në reagimin e Osmanit.
Automjetet e Policisë së Kosovës janë qëlluar 4 herë brenda tre ditësh nga persona të panjohur në veri të vendit, në aksin Mitrovicë-Zubin Potok.
Sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla forcat policore të vendit janë sulmuar me granata e kallashnikov mëngjesin e së premtes, ndërsa po shkonin për të marrë turnin për në doganën e Brnjakut dhe pika të tjera kufitare.
Ministri Sveçla tha se përpara sulmit me kallashnikov në rrugën kryesore janë vendosur iriqë metalikë me qëllim pamundësimin e punës së policëve kufitarë.
Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti dyshon se sulmet kanë ardhur nga territori i Serbisë, ndërsa thotë se policët nuk kanë pësuar lëndime për shkak të mjeteve të blinduara.
