Sulmohet sërish në veri policia e Kovosës, Mjetet shpërthyese u hodhën nga territori i Serbisë
Policia e Kosovës është sulmuar sërish mëngjesin e sotëm.
Përmes një njoftimi për median thuhet se se në orët e hershme të mëngjesit të 16 prillit kanë ndodhur dy shpërthime në Sharpej të Jarinjës, duke shtuar se nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale.
Sipas policisë, dyshohet se shpërthimet kanë ndodhur pranë një veture të policisë, janë kryer me mjete piroteknike. Policia tha se dyshon se këto mjete shpërthyese janë hedhur “nga territori i Serbisë”.


“Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë”, thuhet në njoftim.
Ky është sulmi i pestë i raportuar në katër ditët e fundit në veri të Kosovës, pranë pikëkalimeve kufitare midis Kosovës dhe Serbisë.


“Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre [dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike]. Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave”, thuhet në njoftim.