Makina ku udhëtonin babë e bir përfundon në liqenin e Fierzës, humb jetën 60-vjeçari

Kjo makinë ra nga rruga në greminë. Mjeti u ngul buzë liqenit të Fierzës.

Sul Demnushi 60 vjeç nga fshati Mamëz i Kukësit që udhëtonte si pasagjer humbi jetën në vend.

Ndërsa i biri që drejtonte mjetin shpëtoi për mrekulli.

Ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve pa rrezik për jetën.

Aksidenti u shënua në këmbët e urës së Drinit të Zi në hyrje të Kukësit.

Për shkak të terrenit të vështirë për nxjerrjen nga makina të të mbijetuarit dhe viktimës u kërkua ndërhyrja e forcave të policise dhe atyre zjarrfikës.

Dyshohet që shpejtësia e lartë dhe prania e lagështirës në rrugë ishin faktorët që e çuan makinën drejt humnerës.

Megjithatë policia ende nuk e ka thënë fjalën e fundit për shkaqet e aksidentit.

Të paktën 32 persona humbën jetën në aksidente rrugore në periudhën janar-shkurt, ndërsa ngjarjet fatale kanë qenë të shumta edhe përgjatë muajve mars e prill.

Mesatarisht çdo dy ditë në rrugët e vendit shënohet një viktimë.

Shkelja e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve vlerësohet se  është shkaku i 80 % të aksidenteve.