Manja shmang pyetjen për shokët e partisë që kanë probleme me drejtësinë: Ditë e bukur në Korçë...

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka thënë se së bashku me KLGJ janë duke punuar me një draft të korrektuar të hartës së re gjyqësore. Ai shtoi se së shpejti të dënuarit me arrest shtëpie do të pajisen me byzylykë sigurie.

Drafti për Hartën e Re gjyqësore do t’i nënshtrohet një konsultimi të dytë publik. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja thotë se bashkë me Këshillin e Lartë Gjyqësor po punojnë për tu dhënë zgjidhje rekomandimeve të grupeve të interesit.

"Jemi në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor por edhe me partnerët që kanë dhënë ekspertizë në përgatitjen e hartës gjyqësore për të parë se sa mund të reflektohen sugjerimet e bëra gjatë këtyre fazave të konsultimit publik", tha Manja.

Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit të personave me masa sigurie është kthyer në një problem për policinë, pasi ata që duhet të ishin në shtëpi shpesh-herë janë gjetur duke konsumuar vepra penale.

Nga burgu i Drenovës Ministri Ulsi Manja tha se shumë shpejtë do të rikthehen byzylykët elektronikë.

"Sigurisht që jemi në punë e sipër edhe shumë shpejt mbikëqyrja elektronike do të rikthehet", tha Manja

Si gjithë zyrtarët socialistë Manja shmangu përgjigjen kur u pyet për problemet me drejtësinë për shokët e partisë.

"Është një ditë e bukur në Korçë dhe nuk mendoj se është gjetja e duhur që të jap përgjigje për zhurmën e politikës së Tiranës sot në Korçë", tha ministri.