Der Spiegel: Refuzoi të vendoste maskën në avion, Rama shoqërohet nga policia federale në Gjermani

Arroganca e kryeministrit Edi Rama për të mos respektuar rregullat dhe ligjet e një vendi tjetër sa i përket masave anti-covid nuk është pranuar nga stafi gjerman i kompanisë së fluturimeve, i cili jo vetëm e ka zbritur në tokë kreun e qeverisë por ai do të shoqërohej madje edhe në polici. Drejtori i Lufthansas mbështet vendimin e stafit të tij, ndërsa drejtori i Ramës për shtyp përpiqet ta zbehë sadopak këtë ngjarje të ndodhur në 3 dhjetor të vitit të kaluar.

Media gjermane “Spiegel” zbuloi një sherr që kryeministri Edi Rama ka pasur me ekuipazhin e një fluturimi të Lufthansa-s në dhjetor të vitit të shkuar, para se të nisej nga Gjermania për në SHBA.

“Spiegel” shpjegon se Rama bëri një gjullurdi aq të madhe duke kundërshtuar mbajtjen e maskës kundër Covid, sa që stafi i avionit lajmëroi policinë.

Lidhur me këtë skandal në bordin e Lufthansa-s ka reaguar për “Spiegel” Drejtuesi i kompanisë së fluturimeve Carsten Spohr, i cili mbështet vendimin e stafit të kompanisë për të larguar nga avioni kryeministrin shqiptar.

“Si për çdo pasagjer asistenti i fluturimit iu lut me mirësjellje zotërisë të vendoste maskën: një herë, dy herë. Pas kësaj drejtuesja e kabinës shkoi tek ai: një herë, dy herë. Pasi edhe pas kësaj nuk ndodhi asgjë kapiteni u kujdes që pasagjeri të zbritej nga bordi i shoqëruar nga policia federale. Unë mbështes plotësisht ekuipazhin tonë, nuk ka trajtime preferenciale.”

Ngjarja në fjalë ka ndodhur në fluturim e datës 3 dhjetor, ku Rama ka refuzuar të mbajë maskën e kërkuar nga ekuipazhi.

Në artikull e prestigjiozes gjermane shkruhet se stafi i avionit u detyrua të njoftonte kapitenin e fluturimit, por as ky nuk e bindi dot Ramën.

“Kur edhe pas kësaj, shefi i qeverisë së Shqipërisë nuk iu bind detyrimit të përgjithshëm që të mbante një maskë FFP2 apo një maskë kirurgjikale në vend të maskës prej cope të thjeshtë, Rama u shoqërua jashtë avionit prej policisë federale,” shkruan Spiegel.

Lidhur me sqarimin e drejtorit të Lufthansas ka reaguar këtë të premte Endri Fuga, Drejtori i Agjencisë për Media dhe Informim pranë qeverisë, i cili nuk e mohon skandalin, por përpiqet ta zbehë atë, duke e cilësuar si ngjarje të kaluar.

Endri Fuga: “Lajm i vjetër, për një incident që në thelb nuk kishte vendosjen e maskës, por sjelljen e pahijshme të njërit prej anëtarëve të ekuipazhit. Ndjesa e kompanisë u pranua që atë ditë.”

Spiegel nga ana e saj thotë se drejtuesi i Lufthansas Carsten Spohr e kishte pranuar incidentin në një intervistë për revistën në 1 prill edhe pse nuk e ka përmendur emrin e Ramës. Gjatë intervistës i pyetur për telashet me një “shef qeverie” që kishte refuzuar të vendoste maskën, Spohr ka mbështetur vendimin e punonjësve të kompanisë ajrore për ta larguar Ramën nga kabina e avionit.