Osmani shqyrton propozimin për emërimin Blerim Isufajt si Kryeprokuror të Shtetit të Kosovës
Presidenca në Kosovë, po shqyrton, propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për emërimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror të Shtetit.
Lajmin e ka bërë me dije për mediat e Kosovës këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina.
Sipas tij po shqyrtohet dokumentacioni i pranuar, si dhe të gjitha faktet dhe rrethanat që lidhen me këtë proces.
“Presidentja është në komunikim me palët e interesit dhe në ditët ne vijim do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit për të dëgjuar vërejtjet e tyre mbi mbarëvajtjen e këtij procesi”.
Presidentja e Kosovës, sipas Kupinës është shprehur se kandidati i propozuar duhet të jetë me integritet.
“Presidentja nënvizon se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të jetë kredibil dhe me integritet të plotë për të siguruar që besimi i qytetarëve ndaj Prokurorisë se Shtetit nuk dëmtohet. Po ashtu, Presidentja ka theksuar se kandidati i propozuar duhet të plotësoj gjitha kërkesat ligjore, duke përfshirë edhe atë të integritetit. Për veprimet e mëtutjeshme, mediat dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë”.
Ndërkohë përzgjedhja e Blerim Isufajt për këtë post është përcjellë me reagime të ashpra nga organizatat që e kanë monitoruar këtë proces, përfshirë edhe ambasadorët e vendeve të Quint-it.

