Raporti i OKB-së për luftën në Ukrainë: Uri dhe krizë energjitike në 69 vende të botës, ndikon në çmime

OKB-ja ka hartuar një raport për të treguar impaktin e luftës në Ukrainë në mesin e vendeve të botës. Sipas ekspertëve të Kombeve të Bashkuara mbi 69 vende në botë janë prekur nga kriza e çmimeve të luftës dhe rrezikojnë përkeqësim të situatës së tyre financiare dhe krizë energjitike.

Lufta pushtuese e Rusisë ndaj Ukrainës kërcënon të shkatërrojë ekonomitë e shumë vendeve në zhvillim sipas shefit të OKB-së Guterres.

Sipas OKB-së, këto vende po përballen me kosto më të larta të ushqimeve dhe energjisë si edhe me kushte gjithnjë e më të vështira financiare.

Raporti i ekspertëve të Kombeve të Bashkuara thotë se 69 vende të botës, me një popullsi prej 1.2 miliardë banorësh, përballen me një "stuhi të përsosur" dhe janë të ekspozuara rëndë ose në mënyrë të konsiderueshme ndaj të tre krizave – energjitike, financiare dhe ushqimore.

Sipas ekspertëve më të ekspozuarit janë 25 vende në Afrikë, 25 në Azi dhe Paqësor, dhe 19 në Amerikën Latine dhe Karaibe.

Ndërkohë, situata në terrenin e luftimeve vijon edhe më e tensionuar. Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në vlerësimin e saj më të fundit për situatën paralajmëron se mund të ketë sulme të tjera ndaj qyteteve ukrainase ngjashëm me Kramatorskun. Të enjten u dakordësuan 9 korridore humanitare që do të shërbejnë për evakuime të civilëve.

Zyra e kryeprokurorit ukrainas ka nisur hetimet për krime lufte. Pothuajse 6,500 krime lufte të dyshuara janë kryer nga trupat ruse në Ukrainë dhe janë nën hetim, ka thënë zyra e kryeprokurorit.

Më herët ka qenë edhe vetë presidenti amerikan Biden që ka folur për gjenocid dhe krime lufte në Ukrainë.

Sa i përket bisedimeve të armëpushimit, një zyrtar i lartë ukrainas ka thënë se një nga pengesat është edhe numri i vendeve që do të garantonin sigurinë dhe zbatimin e marrëveshjes.

Ai tha se Ukraina kërkon që sa më shumë vende të veprojnë si garantues të sigurisë, por Rusia nuk dëshiron që numri i tyre të rritet.