NATO rrit praninë në lindje, baza të përhershme ushtarake në kufijtë e aleancës
Aleatët e NATO-s kanë ndryshuar strategji duke e ndihmuar Ukrainën me armatim të sofistikuar për të përballuar sulmin pushtues rus. Ndërkohë, shefi i aleancës tha se NATO do të ndërtojë prani të përhershme ushtarake në kufijtë e saj, sepse, sipas tij, bota po ndryshon dhe NATO duhet të përshtatet.
Dinamikat e zhvillimeve të reja në zona të ndryshme të globit, në Azi, Arktik dhe në Ukrainë, kanë sjellë edhe mobilizim më të gjerë të NATO-s.
Për shefin e aleancës veriatlantike Jens Stoltenberg lufta në Ukrainë ka ndryshuar strategjitë ushtarake të NATO-s.
“Pavarësisht se kur dhe si përfundon lufta në Ukrainë, lufta tashmë ka pasur pasoja afatgjata për sigurinë tonë. NATO duhet t'i përshtatet këtij realiteti të ri. Dhe kjo është pikërisht ajo që ne po bëjmë”, tha Stoltenberg.
NATO është duke planifikuar që të vendosë prani të përhershme ushtarake në kufijtë e saj. Në kufi me Rusinë NATO ka tre vende anëtare, Letoni, Lituani dhe Estoni.
Ndërkohë, Polonia dhe Rumania janë dy vende të rëndësishme të krahut lindor që pritet të kenë vëmendje më të madhe nga aleanca veriatlantike.
Sulmi i Rusisë në Ukrainë ka ndryshuar strategjitë e NATO-s në kufi me një nga vendet e rëndësishme ushtarake botërore siç është Rusia.
Stoltenberg foli për një agresion të ardhshëm rus, duke lënë të nënkuptohet se edhe vende të tjera veç Ukrainës mund të jenë pjesë e një sulmi hibrid nga ana e Rusisë, diçka që e kanë thënë më herët edhe ukrainasit.
Së fundmi, NATO po e pajis Ukrainën me armatim më të sofistikuar për të përballuar sulmin rus. Vendimi i Sllovakisë për t'i dhënë Ukrainës një njësi mbrojtjeje ajrore të epokës sovjetike S-300, përfaqëson një fazë të re lufte, pasi vendet aleate kërkojnë ta ndihmojnë ushtrinë ukrainase të përballojë sulminn rus, që sipas ekspertëve ushtarakë do të jetë i gjatë.
