Trump lë të kuptohet se do garojë për President: Këtë vit marrim Amerikën, në 2024 Shtëpinë e Bardhë

Ish-presidenti, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se do të kandidojë në vitin 2024 në zgjedhjet presidenciale. Ai ka kritikuar edhe punën e presidentit Biden për të cilin tha se në 15 muaj ka bërë atë që 5 presidentët më të këqij nuk e kanë bërë në 20 vjet.

Ish-presidenti, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se do të kandidojë sërish në vitin 2024 sa i përket zgjedhjeve presidenciale.

Gjatë një tubimi në kuadër të fushatës për zgjedhjet afatmesme të nëntorit, 75-vjeçari nga Karolina e Veriut tha se republikanët do të merrnin kontrollin e Dhomës dhe Senatit.

Trump: Kam bërë shumë herë më mirë që kandidova herën e dytë se sa atë të parën dhe tani mund të na duhet të kandidojmë sërish. A ka ndonjë që do donte të shihte duke rikandiduar? Ky është viti që ne do të rimarrim Dhomën e Përfaqësuesve, Senatin dhe Amerikën. Dhe në 2024, më e rëndësishmja, do të rimarrim Shtëpinë tonë të Bardhë të bukur.

Ndërsa e quajti presidentin Biden si më të keqin në histori, Biden kritikoi edhe fushatën për transgjinorët në shkollat fillore si dhe pjesëmarrjen e tyre në sportet e femrave.

Trump: Ju mund të merrni 5 presidentët më të këqij amerikanë dhe të pestë bashkë nuk kanë sjellë kaq shumë pasoja sa Biden në vetëm 15 muaj. Fëmijët tanë po indoktrinohen, vlerat tona po përdhosen, trashëgimia jonë po fshihet dhe vendi ynë po poshtërohet nga një president që nuk e ka idenë se çfarë dreqin po ndodh.. Nuk mund të lejojmë burra që marrin pjesë në kampionatet e femrave, ata po shkatërrojnë sportet e grave. Ne nuk mund të lejojmë më mësues që u shpjegojnë fëmijëve tanë agjendën radikale të majtë, ky është abuzim ndaj fëmijëve.

Republikani u zotua ndër të tjera, se do të shkatërronte njëherë e përgjithmonë karrierën politike të folëses s Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi të cilën e quajti një të çmendur radikale të majtë.