Disa mënyra se si të keni flokë të shëndetshëm
Një skalp i shëndetshëm është thelbësor për flokët e bukur. Për t’u përkujdesur mirë për të, shampot dhe produktet e përkujdesit për flokë duhet të përshtaten në mënyrë specifike për probleme të ndryshme: rënia e flokëve, skalpi i yndyrshëm, kruajtja e skalpit, zbokthi etj.
Për të folur më tepër për temën ishte e ftuar parukierja Klodiana Gjinaj në emisionin “Jeto me Orën”, në RTV Ora. Sipas saj, skalpi krahasohet me tokën, kështu flokët janë si bimët që duhen ushqyer.
“Duke qenë se skalpi është shumë i rëndësishëm, ta themi si toka dhe flokët janë si bima, ai duhet të jetë shumë i kuruar që të kemi flokë sa më të shëndetshëm, mos të kemi problematika siç janë zbokthi, yndyra, djersa.
Duke pasur një skalp sa më të kuruar sa më të shëndetshëm, edhe flokët nuk kanë probleme nga nxehtësia, nga lagështira, sepse mbrohen, kurohen. Skalpi është shumë i rëndësishëm për çdo gjë në pjesën e flokut.
Tani kanë dalë edhe mjetet, siç është trikokamera, përmes të cilës arrijmë të shohim problematika që syri ynë nuk arrin ti shohë. Kjo na ndihmon që shumë probleme ti zgjidhim pa u shfaqur në skalp. Ai është shumë i rëndësishëm për çdo pjesë, për ti rritur flokët, për ti pasur sa më të shëndetshme."- tha ajo.
Teksa foli për kujdesin ndaj flokut, ajo theksoi shampoja e skalpit është shumë e rëndësishme, duke mos harruar maskën ushqyese.
E rëndësishme është të nisim me një shampo skalpi, është shumë e rëndësishme për flokun. Ne në përgjithësi lajmë flokët, nuk lajmë skalpin, pastaj vazhdojmë me një maskë shumë të mirë që i trajtojmë, t’i ushqejmë, mos të na elektrizohen, sidomos në këto periudha ku ka shi. Mbrojtja nga nxehtësia është gjithashtu e rëndësishme, duhet të përdorim qumështin, serume që mos të na digjen flokët nga piastra, dielli, dhe tani në sezonin e verës që ekspozohen edhe më shumë në diell, det, pishina.

