Disa këshilla se si të vendosni beben tuaj në gjumë
Nënave të reja u duhet që të përballen me një sërë shqetësimesh në muajt e para të ardhjen në jetë të bebeve të tyre. Që nga ushqyerja e tyre, por edhe mungesa e gjumit gjatë natës janë ndër shqetësimet kryesore të tyre. Pikërisht për këtë të fundit, Ornela Kullolli, një nënë e re shqiptare që jeton në Turqi, ka krijuar të ashtëquajturën “terapi gjumi”.
E ftuar në emisionin “Jeto me Orën”, në RTV Ora, ajo tregon se cilat janë rregullat e arta që bebet të krijojnë ritualin e tyre të gjumit.
“Në fillim për një nënë të re, është situatë e vështirë, sepse nuk di çfarë këshillash të ndjekë, atë që i thonë familjarët, atë që lexon. Bëhet e vështirë kështu sepse ti nuk di cila është rruga që do të ndjekësh. Është më e lehtë të mësohen rregullat në këtë fazë sepse pastaj bebat e kanë më të thjeshtë të mësohen me rregullat e drejta. Nëse e mësojmë bebin që të tundet gjatë gjithë kohës që në fillim, natyrisht vështirësohet situata më tej”, rrëfen ajo për ditët e para të nënave të reja.
Ajo flet edhe për informacionin e cunguar që kanë nënat e reja përsa i përket gjumit të bebeve të tyre. Sipas saj, këshillat që ka dhënë janë parë me skepticizëm në fillim, por më pas janë mirëpritur.
“Në fillim ka qenë e çuditshme të thoshe “jam konsulente gjumi”, ose të tregoje ca rregulla gjumi, të tipit të flesh në orën 19.30-20.00, që unë e rekomandoj për bebat e vegjël, ishte shumë e habitshme. Si ka mundësi, ora 7 në verë është ende ditë, nuk mund t’ia bëjmë këtë gjë fëmijës tonë,ne jemi nëna. Kishte një koncept të gabuar për mënyrën sesi duhet të kujdesemi për fëmijën, dhe sa nevojë ka fëmija për gjumë, ishte informacion i cunguar. Por nga ana tjetër ishte edhe ide që mirëpritej, kishte nëna që e kalonin natën zgjuar dhe këto këshilla i vinin në formën e shpresës dhe ia dolën të rregullonin gjumin”.
“Nënat më shkruajnë në mesazhe dhe janë shumë të dyzuara. Pavarësisht se përpiqem ti bind se fëmija është i tyre, është jeta e tyre, duhet të marrin vendime. Është e vështirë në zona të caktuara në qytete të caktuara. Ka familje që nënat nuk e kanë plotësisht të drejtën për të vendosur se kur fle fëmija, se në çfarë krevati fle fëmija. Ka raste kur familjarët vendosin që fëmija do të flejë në djep, ose në krevate të ndryshme. Situata nuk është e thjeshtë në zonat jashtë qyteteve të mëdha.
Nënat ndodhen përballë presionit familjar, përballë presionit të internetit, por në fund të ditës janë nënat ato që duhet të marrin vendimin se çfarë është më e mira për fëmijën e tyre.
Deri në katër vjeç ne arrijmë ta përmirësojmë gjumin e fëmijës. Pastaj përmirësohet vetë. Nëse nuk duam të presim deri në 4 vjeç, është e mundur në çdo moshë. Ka metoda, ka teknika që ne mund të rrimë pranë fëmijës, ndërkohë që e mësojmë të flejë vetë. Problematikat më të shumta janë këto, bebi fle në gji, bebi fle shumë gjatë natës, zgjohet 4-5 herë për të pirë gjatë natës, fle me tundje. Ne përpiqemi të zbehim këto zakone të krijuara dhe ti mësojmë bebet të flejnë në krevatin e tyre dhe vetë”.
Konsulentja e gjumit flet edhe për rregullat që duhet të ndjekë çdo nënë për krijuar rutinën e duhur për gjumin e fëmijës.
“Mjafton të bëjmë një rutinë në mbrëmje. Bebi në mbrëmje të lahet, të ndërrohet , të ushqehet, të fiket drita e dhomës dhe të vendoset në krevat. Kaq mjafton për të treguar se këtu fillon nata. Nga ky moment e pas, drita e dhomës nuk ndizet dhe bebi nuk del nga dhoma e gjumit. Të paktën një herë në ditë bebat e porsalindur duhen vendosur në krevat që të flenë vetë. Ata munden, sepse ende nuk janë “hileqarë” që të duan te gjiri ose në krah dhe këtu i mësojmë një alternativë të të fjeturit vetëm”.

