“Pink Floyd”, këngë homazh Ukrainës
Pas plot 28 vitesh, grupi legjendar i rock-ut “Pink Floyd” vjen me një këngë të re në mbështetje të popullit të Ukrainës. "Hey Hey Rise Up", është kënga e parë që nga viti 1994 dhe të gjitha të ardhurat do të shkojnë për ndihmën humanitare ukrainase.
Grupi legjendar i rock-ut “Pink Floyd” ka publikuar një këngë të re në mbështetje të popullit të Ukrainës. "Hey Hey Rise Up", është kënga e parë e re nga grupi që nga viti 1994 dhe të gjitha të ardhurat do të shkojnë për ndihmën humanitare ukrainase, thuhet në një deklaratë.
Kënga është realizuar nga kitaristi David Gilmour dhe bateristi Nick Mason, me basistin Guy Pratt dhe Nitin Sawhney në tastierë. Në vokal është bashkuar edhe Andriy Khlyvnyuk nga grupi ukrainas “Boombox”.
Grupi përdori audion e Khlyvnyuk teksa këndon në qendër të Kievit, ku ai performoi "një këngë protestuese ukrainase të shkruar gjatë Luftës së Parë Botërore, e cila është transmetuar në të gjithë botën gjatë muajit të kaluar në shenjë proteste" kundër pushtimit rus.
“Ishte një moment i fuqishëm që më bëri ta përfshija në muzikë”,-tha Gilmour.
Këngëtari ukrainas, Khlyvnyuk la grupin e tij për t'u bashkuar me ushtrinë, ndodhet në spital pasi u godit nga një predhë.
"Ne, si shumë të tjerë, kemi ndjerë zhgënjimin e këtij akti të poshtër ndaj një vendi demokratik të pavarur dhe paqësor që po pushtohet dhe po vritet nga një prej fuqive të mëdha botërore," tha Gilmour, duke shtuar se shprehin mbështetjen e tyre për Ukrainën.
"Hey Hey Rise Up" është muzika e parë origjinale nga grupi në 28 vjet. Në vitin 2014, grupi publikoi një album "The Endless River", kryesisht muzikë ambientale dhe instrumentale.

