Zelensky pretendon se më shumë civilë janë vrarë në Borodjanka: Ka më keq se në Bucha
Ukraina pretendon se forcat ruse kanë kryer më shumë krime në një qytet tjetër pranë Kievit, krahasuar me atë që ndodhi në Bucha, e cila i kushtoi Rusisë përjashtimin nga Kombet e Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
Ukraina nuk është mjaftuar vetëm me pezullimin e Rusisë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut për masakrën në Bucha.
Presidenti ukrainas Zelensky pretendon se rusët gjatë tërheqjes së tyre nga Kievi kanë vrarë qindra civilë në një qytet tjetër, Borodjanka.
Sipas kreut të shtetit ukrainas krimet në këtë qytet janë më makabre se sa në Buça ku u vranë mbi 300 civilë.
Zelensky: Dhe puna filloi me analizën e bllokimeve në Borodjanka... Aty është shumë më keq. Edhe më shumë viktima të pushtuesve rusë. Dhe çfarë do të ndodhë kur bota të mësojë të gjithë të vërtetën për atë që bëri ushtria ruse në Mariupol? Atje , pothuajse në çdo rrugë, është ajo që bota pa në Buça dhe qytete të tjera në rajonin e Kievit pas tërheqjes së trupave ruse. E njëjta mizori. Të njëjtat krime të tmerrshme.
Të paktën 26 trupa u nxorën të pajetë nga një bllok pallatesh në Borodjanka, pranë Kievit të enjten.
Në fillim të kësaj jave, Ukraina publikoi foto dhe videot e dhjetëra civilëve të shtrirë nëpër rrugë të vrarë nga forcat e Moskës, megjithëse Kremlini i mohon krimet në mënyrë kategorike.
Më herët, situata më e vështirë humanitare është raportuar në qytetin port në jug të vendit Mariupol.
Të paktën 5000 persona raportohet se kanë humbur jetën, megjithëse krimet nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga inteligjencat e huaja, apo mediet ndërkombëtare.
