Ekstradohet nga Gjermania, roja i Ambasadës britanike akuzohet si spiun i Rusisë
Një roje sigurie në ambasadën britanike në Berlin, i dyshuar për spiunazh për Rusinë, është ekstraduar për t'u paraqitur në gjykatë i akuzuar për nëntë vepra sipas Aktit të Sekreteve Zyrtare.
David Ballantyne Smith, 57 vjeç, do të paraqitet në Gjykatën e Magjistraturës së Westminsterit të enjten.
Shtetasi i Mbretërisë së Bashkuar u arrestua nga policia gjermane më 10 gusht.
Veprat dyshohet se kanë ndodhur midis tetorit 2020 dhe gushtit 2021.
Smith, i cili kishte jetuar në Potsdam, në Gjermani, mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar të mërkurën përpara paraqitjes së tij në Gjykatën e Magjistraturës së Westminsterit.
Policia Metropolitane tha se nëntë akuzat lidhen me mbledhjen dhe komunikimin e informacionit të dobishëm për shtetin rus.
Nick Price, kreu i divizionit të posaçëm të krimit dhe kundër terrorizmit të Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës (CPS), tha se Smith u akuzua për shtatë vepra të mbledhjes së informacionit me qëllim dërgimin e tij tek autoritetet ruse, një për tentativë komunikimi dhe duke i dhënë informacion një personi që ai besonte se ishte anëtar i autoriteteve ruse.
Ai tha se CPS kishte punuar ngushtë me homologët e saj gjermanë për të rikthyer z. Smith në Mbretërinë e Bashkuar pasi kishte marrë një urdhër ekstradimi.
