Vanoli: Nuk jam këtu me pushime dhe për para. A ka lojtarë me karakter Dinamo?!

Trajneri italian, Vanoli foli pa doreza pas humbjes me Egnatian. Ai tha se mban  përgjegjësi për ketë humbje dhe për paraqitjen por nga e Hëna do të jenë lojtarët që do të mbajnë përgjegjësi dhe që duhet të japin llogari. Në fjalën e tij ai nuk e shprehu zhgënjimin duke vënë në pikëpyuetje karakterin e lojtarëve të skuadrës.

“Prisja një ndeshje tërësisht ndryshe, por nuk shkoi ashtu si e kishim përgatitur dhe bëmë një hap pas në mënyrën e lojës. Mendoj se lojtarët duhet të vënë veten e tyre në vendin e tifozëve, të cilët erdhën edhe sot për të na mbështetur dhe që duhen respektuar. Kemi keqardhje, pasi kjo ishte një ndeshje që nuk duhej humbur. Në këtë situatë duhet të përballem me lojtarët dhe t’i pyes se kush ka karakterin për të luajtur dhe shpëtuar Dinamon, pasi në të kundërt është më mirë të luajmë me të rinjtë. Duhet të shpëtojmë patjetër, pasi unë kam ardhur me objektiv të qartë dhe deri në këto momente, i kam arritur gjithmonë synimet e mia. Nuk kam ardhur këtu për pushime, por për të drejtuar një klub të madh si Dinamo, që mund të bëjë shumë më mirë. Përgjegjësi kryesor jam unë dhe vë fytyrën time për të kërkuar ndjesë për këtë paraqitje, por të hënën futbollistët duhet të përballen me mua dhe të marrin përgjegjësitë. Futbolli nuk luhet me emra, por me dëshirë për të luftuar për çdo top. Jemi në këtë situatë, pasi na ka munguar jo vetëm agresiviteti, por edhe një pjesë e mirë e cilësitë. Jemi në pikën zero dhe duhet të rinisemi duke punuar”, u shpreh trajneri italian.

Në krahun tjetër, trajneri Ramadani nuk e fshehu gëzimin për fitoren e arritur duke vlerësuar skuadrën por tha se ka ende shumë ndeshje në Superiore.

“Skuadra ishte e karikuar në maksimum. Na ndihmoi edhe ndeshja e Dinamos me Tiranën, i bëmë një analiza të mirë. I uroj futbollistët për angazhimin. Mendoj se e merituam fitoren dhe jam i lumtur me këtë fitore, por kërkova që të rrimë me këmbë në tokë që mos e pësojmë. Te fitorja shoh që portën duhet ta mbajmë të paprekur, kjo më bën të lumtur dhe ka një vlerë të veçantë për mua. Faza e katërt për ne është më e vështirë se për të gjithë konkurrentët tanë, pasi luajmë me ekipe që janë lart në renditje. Prandaj pas ndeshjes fjalët e mia ishin që të mos na kapë ndonjë eufori, por do japim maksimumin”, tha në fjalën e tij trajneri i Egnatias./Ora News/.