Mehmeti shikon faull te goli. Plori: E anuloi me dashje ose është budalla

Polemika të mëdha ka shkaktuar ajo finale në “Elbasan Arena”. Një ndeshje shumë e qetë dhe pa shkëndija të mëdha mori zjarr në fund nga ai anulim me VAR i golit të Aralicës që për shumicën e opinioneve dukej shumë i rregullt si gol.

Trajneri i Partizanit, Mehmeti bëri një analizë të ndeshjes që sipas tij mund të fitohej nga të kuqtë ndërsa te goli sipas gjykimit teknik të tij kishte një faull.

“Të tilla ndeshje sjellin mungesë qetësie në aspektin psikologjik dhe lojtarët nuk e interpretojnë si duhet. Nuk jam dakord që mund të ishte 0-1, pasi ne kemi pasur disa situata ku mund të kishim shënuar. Duhet të jemi më konkretë, por presioni bën të vetën. Në pjesën e parë u munduam të ishim në ekuilibër, por nuk arritëm të shkonim si duhet në sulm. Në pjesën e dytë bëmë më mirë me ndryshimet, por nuk zgjidhëm si duhet situatat që krijuam. Ndaj Vllaznisë nuk po na ecën dhe mendoj se është çështje fati. Megjithatë sot ndikoi presioni te të dy skuadrat. Goli? Në gjykimin tim teknik, unë mendoj se Aralica ka bërë faull ndaj mesfushorit Matondo. Shikoni krahun që vendos dhe vendimi për anulim ishte i drejtë”.

Në anën tjetër, foli pa doreza trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori i cili u shpreh shumë i habitur për anulimin duke akuzuar arbitrin se e bëri me dashje ose ndryshe është një budalla.

E pashë përsëri në dhomat e zhveshjes. E pashë edhe një herë me përsëritje, është e çuditshme. Ne nuk bëjmë mirë që flasim për arbitrat, por duhet të flasim se kemi gjithë punën dhe investimin. OK, gaboi arbitri dhe në moment ka gabuar, por në momentin që e jep pastaj duke e parë, e jep me dashje. Po shkove dhe e pe, çfarë të thuash? Kjo është me dashje, ose i bie të jetë budalla! Ne vijmë pas një krize, situate të vështirë ku donim fitore, ambienti i tensionuar. Ishte ndeshje Kupe, vijmë pas 3-0 me Egnatian, rezultatet në Kupë një gol i ndan, një gol i tillë e ndan. Nuk dua të flas për arbitrat se i vëmë në presion. Por në momentin kur ai shkon dhe e shikon, ky më bën shumë të dyshoj", u shpreh trajneri Plori ne fund të ndeshjes./Ora News/.