VIDEO- Incidenti në ceremoninë e Oscars 2022, Will Smith godet Chris Rock pasi i ironizoi gruan
Këtë edicion të 94-të të çmimeve Oskar shkëlqeu filmi “Coda” që sipas kritikës është vlerësuar si një moment historik për përfaqësimin e shurdhmemecëve në industrinë e argëtimit. Ndërkohë, vëmendjen kryesore e mori një shpullë e Will Smithit ndaj kolegut të tij që moderonte atë mbrëmje gala.
Kjo shpullë e aktorit Will Smith ndaj kolegut të tij Chris Rock ngjan se mori vëmendje më të madhe se fakti kush i fitoi çmimet Oscar të këtij viti.
Will Smith u ngjit në skenë dhe goditi Chris Rock-un pasi komediani bëri një shaka me gruan e Smithit, Jada Pinkett-Smith. Ai do të tallej me rënien e saj të flokëve, ndërsa Jada vuan nga një sëmundje, ndaj edhe është detyruar që ta rruajë kokën. Pikërisht këtë tallje ndaj familjes së tij nuk e ka toleruar dot aktori Will Smith.
Kjo shpullë la në hije edhe vetë çmimin Oscar që fitoi aktori Smith për rolin e tij në filmin “King Richard”.
Çmimi "Oscar" për filmin më të mirë shkoi për "CODA-an. Një film për një vajzë të re me ambicien për t’u bërë këngëtare dhe brerjen e ndërgjegjes se karriera mund të bëjë të braktisë familjen e saj shurdhmemece dhe ta lërë në vështirësi. Ky film është vlerësuar nga kritika si një moment historik për përfaqësimin e shurdhmemecëve në industrinë e argëtimit.
Jessica Chastain fitoi Oscarin e saj të parë për aktoren më të mirë në rolin kryesor për interpretimin e saj në "The Eyes of Tammy Faye". Ndërsa Ariana DeBose fitoi çmimin si aktorja më e mirë në rol dytësor për interpretimin e saj në "West Side Story". Jane Campion mori çmimin për regjisorin më të mirë për "The Power of the Dog".
