Vuçiç mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare kundër kryeministrit të Kosovës. BE: Kurti, destruktiv

Bashkimi Evropian ka reaguar me keqardhje sa i përket vendimit të kryeministrit Albin Kurti për mosmbajtjen e zgjedhjeve për serbët e Kosovës. Zëdhënësi i Borrejt, Peter Stano thotë se Beogradi ka qenë më konstruktiv se sa Prishtina.

Bashkimi Evropian njësoj si në rastin e referendumit serb të 16 janarit ka kritikuar qeverinë Kurti lidhur me zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë në 3 prill.

Zëdhënësi i BE-së për Politikën e Jashtme, Peter Stano ka shtuar se Beogradi ka luajtur rol më konstruktiv, ndërsa Kosova është tërhequr.

Sinkron Stano: Bashkimi Evropian ka vepruar si lehtësues, përfaqësuesi i Lartë Borrelli ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve me dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. 

E pranojmë se Serbia ka qenë e hapur për gjetjen e zgjidhjes, ne shprehim keqardhje se konsensusi mes palëve në fund nuk u arrit pas vendimit të Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të shteteve të Quint-it.

Kryeministri Kurti ka thënë të hënën pas takimit me ambasadorët e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Italisë, Gjermanisë e Francës se për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një reagim ndaj Kurtit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç kërcënoi sërish Kosovën se do t’i përgjigjej me pasoja të rënda.

Të martën në Beograd u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare me në fokus vendimin e qeverisë Kurti për mos mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë.

Në mbledhje të pranishëm ishin edhe i ashtuquajturi drejtori i zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviç, kreu i Listës Serbe Goran Rakiç dhe serbë të tjerë nga veriu i Kosovës.