Vuçiç: Serbia t'i përgjigjet Kurtit dhe Malit të Zi, do të ketë pasoja të mëdha
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Serbia nesër do t'i përgjigjet Prishtinës dhe Malit të Zi.
Ai tha në tubimin parazgjedhor në Kikinda se të gjitha efektet e luftës në Ukrainë dhe gjithçka që po ndodh në Evropë dhe në botë do të diskutohen në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“Prisni gjithçka. As Gjukanoviq nuk e kishte bërë këtë, ndaloi votimin në Berane dhe disa vende për zgjedhjet tona, qeveria e Kurtit kërkoi që ne ta njohim pavarësinë e Kosovës për të organizuar votimin. Kurti do të marrë përgjigje, ju dijeni se çfarë përgjigje do të marrin. Përgjigja e njerëzve seriozë dhe të përgjegjshëm, por do të ketë pasoja të mëdha”, tha ai.
Vuçiq ka paraqitur parashikime të këqija për vazhdimin e konfliktit në Ukrainë dhe ka vlerësuar se nuk përjashton konflikte shumë më të mëdha sesa konfliktet vetëm mes dy vendeve.
“Duhet të bëjmë çmos që njerëzit e papërgjegjshëm të mos na tërheqin në diçka të tillë”, përfundoi ai.
Nesër në orën 12 do të mbahet seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare e Serbisë.
Temat do të përfshijnë refuzimin e Albin Kurtit për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, kërcënimet me sanksione ndaj Serbisë dhe furnizimin me naftë për tregun serb.
