Vuçiç merr bekimin e Kishës kundër Kosovës, Profirije: Është e rëndësishme të ruhet uniteti i popullit serb
Presidenti i Serbisë ka takuar kreun e Kishës Ortodokse Serbe ku kanë diskutuar për Kosovën dhe zgjedhjet e 3 prillit, për të cilat patriarku tha se duhet të ruhet uniteti i popullit serb. Vuçiç të hënën kërcënoi hapur qeverinë Kurti me pasoja konkrete për mosmbajtjen e tyre.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka biseduar me patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe Profirije ku kanë folur për situatën në Kosovë.
Siç bën me dije zyra e presidencës serbe, Vuçiç e informoi kreun e Kishës Ortodokse për vendimet e qeverisë Kurti, sa i përket zgjedhjeve presidenciale të 3 prillit.
Patriarku i tha kreut të shtetit se interesat e qytetarëve serbë duhet të qëndrojnë para së gjithash si dhe ngriti pretendime se Kisha Serbe po sulmohet në Kosovë.
Peshkopi: Interesat kombëtare dhe shtetërore duhet të merren parasysh në radhë të parë për të ruajtur të ardhmen e qëndrueshme të qytetarëve serbë. Ka raste të përsëritura të sulmeve ndaj Kishës Ortodokse Serbe dhe pronës së saj, veçanërisht në Kosovë, është e rëndësishme të ruhet uniteti i popullit serb.
I pari i Ortodoksëve Serbë ka konfirmuar qëndrimin e kishës sa i përket mos njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Në këtë rast, sa u përket zgjedhjeve, kryeministri Kurti i kërkoi Serbisë që të bënin një kërkesë zyrtare për mbajtjen e tyre, por Serbia e mohon një akt të tillë dhe u është drejtuar institucioneve ndërkombëtare të OSBE-së.
Të hënën, gjatë fushatës elektorale Vuçiç e përmendi sërish kërcënimin kundrejt qeverisë së Kosovës sa i përket mosmbajtjes së zgjedhjeve.
Vuçiç nga Kikinda tha se Kurti do të marrë përgjigjen e njerëzve seriozë dhe të përgjegjshëm.
