Rikonstruktohet Infektivi, mbyllet pas dy vitesh pandemi, pacientët transferohen në spitalin Covid 3
Pas dy vitesh pandemi, Spitali Infektiv është mbyllur për t`ju nënshtruar rikonstruksionit. Në inspektimin e fillimi të punimeve, Ministrja e Shëndetësisë tha se ky spital do të kthehet në një qendër reference për trajtimin e sëmundjeve infektive.
Infektivi nuk do të jetë më spital Covid. Pas dy vitesh pandemi, spitali është mbyllur për t`ju nënshtruar rikonstruksionit.
Pacientët në trajtim janë transferuar në Spitalin Covid 3, në QSUT.
Të mërkurën ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu inspektoi fillimin e punimeve nga ku bëri me dije se ky spital do të kthehet në një qendër reference për trajtimin e sëmundjeve infektive.
“Investimi në Spitalin Infektiv është një investim i cili është planifikuar në kuadër të planit tonë të përgjigjies ndaj pandemisë Covid19 dhe impaktit të saj, por edhe për t’iu përgjigjur emergjencave të tjera, për t’a bërë Spitalin Infektiv një qendër të vërtetë reference për sëmundjet infektive. Janë 5.6 milionë euro që vendosen në dispozicion të këtij investimi nga qeveria shqiptare, me të gjithë pajisjet dhe sistemet e nevojshme që duhet të ketë një spital modern”, tha Manastirliu.
Duke vlerësuar rolin e mjekëve në periudhën e pandemisë, Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije objektivin e qeverisë për forcimin e kapaciteteve spitalore në përgjigje të krizave shëndetësore.
“Përsa i përket planit të përgjigjies në aspektet e gjithë shërbimit spitalor, tashmë të gjithë pacientët që janë në trajtim, janë transferuar në spitalin Covid 3. Një riorganizim është bërë me drejtorinë e QSUT për të pasur të gjitha materialet, mjetet e nevojshme, në mënyrë që të mos kemi asnjë problematikë për të bërë të gjithë atë trajtim që ndodhte në Spitalin Infektiv. Përsa i përket numrit të shtretërve në spitalin Covid 3 është aktualisht i bollshëm për rastet që kemi aktualisht.
Por nëse kemi apo do të kemi në vijim rritje të numrit të rasteve që kërkojnë dhe trajtim spitalor padyshim që skenarët tonë të planit të përgjigjies për këtë periudhë janë të gatshëm, qoftë përsa i përket strukturave spitalore në spitalet rajonale, qoftë përsa i përket strukturës spitalore të spitalit “Shefqet Ndroqi”, qoftë përsa i përket strukturës Covid 4”, tha Manastirliu.
Investimi me vlerë prej 5.6 milion euro konsiston në rikonstruksionin dhe zgjerimin e kapaciteteve të Spitalit Infektiv. Kapaciteti i plotë i këtij spitali do të jetë 118 shtretër.




