Ndryshon destinacioni për urgjencat Covid në Tiranë
Nga 23 marsi, urgjencat Covid do të priten në strukturën e ish-urgjencës kirurgjikale në QSUT. Lajmin e bën me dije ministria e Shëndetësisë e cila njofton se do të nisë projekti në Spitalin Infektiv, ndërsa shton se do të merren masat për riorganizimin e shërbimit në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Ministria e Shëndetësisë e cila njofton se duke filluar nga dita e mërkurë, datë 23 Mars, të gjitha urgjencat e Covid-19 do të priten në strukturën ish-urgjencës kirurgjikale në QSUT, e cila tashmë është vendosur në funksion të plotë të urgjencave Covid.
Në njoftimin e saj, ministria bën me dije se në kuadër të fuqizimit të kapaciteteve në sistemin spitalor dhe veçanërisht në përgjigje të fuqizimit të kapaciteteve për shërbimet spitalore për sëmundjet infektive dhe planin e masave 2021-2022 për përgjigjen ndaj pandemisë Covid-19, pritet të nisë projekti i rehabilitimit dhe zgjerimit të kapaciteteve të Spitalit Infektiv në QSUT.
QSUT ka marrë të gjitha masat për organizimin e ri të shërbimit infektiv, në mënyrë që të garantohet plotësisht shërbimi për trajtimin e pacientëve me Covid-19 në strukturën spitalore Covid3.
Sa i takon trajtimit të pacientëve me Covid-19, shërbimi do të ofrohet plotësisht në Spitalin Covid3 në QSUT, ku është organizuar shërbimi me stafet mjekësore, pajisjet dhe barnat e materialet mjekësore të nevojshme si dhe janë marrë të gjitha masat për çdo skenar sipas dinamikës së pandemisë përgjatë zbatimit të këtij projekti.
Ndërkohë ministria e Shëndetësisë nuk ka një datë të nisjes së Rikonstruksionit të plotë i spitalit infektiv, por thotë se ai pritet të nisë së shpejti.
Spitali Covid 1 ka mbajtur peshën më të madhe të trajtimit të rasteve të pacientëve me infeksionin Sars-Cov2 gjatë pandemisë Covid-19 dhe me zbatimin e këtij projekti do të filloje puna për rehabilitimin me standardet më të mira, për të garantuar një shërbim sa më cilësor për qytetarët.

