Pranvera sjell alergjitë, ja cilat janë simptomat dhe çfarë këshillojnë mjekët
Ndryshimi i stinës me mbërritjen e pranverës ka shtuar rastet me alergji në spitale. Teshtima, kolla apo irritimi i lëkurës janë disa nga shenjat. Mjekët këshillojnë qytetarët që të mos i neglizhojnë simptomat pasi mungesa e mjekimit mund të sjellë komplikacione.
Stina e pranverës, përveç ripërtëritjes së natyrës e ditëve me diell sjell edhe shfaqjen e alergjive.
Në spitale, mjekët alergologë po përballen këto ditë me fluks vizitash si pasojë e alergjive, veçanërisht nga polenet.
Mjekja Kleita Elezi tregon simptomat që ndeshen tek të prekurit.
"Nëse kemi shenjat kryesore të një rrufe alergjike atëherë mund të kemi një bllokim të hundëve, sekrecione, të teshtitura pafund, mund të kemi dhe prezencën e një kolle të thatë."
Këto shenja nuk duhen neglizhuar. Marrja e mjekimit në kohë parandalon komplikacionet e rënda.
"Duke mos u mjekuar bëhen shenja klinike mjaft të rënda dhe ajo çfarë pacientin e bezdis shumë është që përveç këtyre shenjave klinike i preket dhe cilësia e jetesës, është i lodhur, i acaruar pra nuk përqendrohet dot në punë ose në shkollë."
Nga fëmijët tek të rriturit, alergjitë mund të shfaqen në çdo grupmoshë.
"Të gjithë mund të preken nga simptomat e rrufës alergjike apo dhe të konjuktivitit alergjik, pastaj kemi dhe azmën bronkiale alergjike".
Përveç polenëve mjekja Kleita Elezi tregon shkaktarët e tjerë të alergjive.
"Polenet janë një pjesë e alergeneve që ne testojmë, pastaj kemi pluhurin e shtëpisë i cili është një alergen gjithëvjetor, pastaj kemi alergenat ushqimorë, pastaj kemi alergenet e kontaktit, kemi reaksionet e medikamenteve dhe barnave të ndryshme".
Mënyra më e mirë për të parandaluar alergjitë është të shmanget kontakti me lëndët apo substancat që i shkaktojnë ato.

