Një vit dështimi i Albin Kurtit, organizata Çohu ‘fut’ në skaner vitin e parë të Qeverisë

Në një vit nga rimarrja e detyrës së kryeministrit, Albin Kurti nuk ka bërë progres të dukshëm, kështu shprehet shoqëria civile e cila shton se në disa aspekte ka pasur edhe dështim.

Viti i parë i qeverisjes Kurti nuk ka bërë dallim nga qeveritë e kaluara.

Kështu është shprehur drejtori ekzekutiv i organizatës ‘Çohu’, Arton Demhasaj,  i cili përmend procesin e dialogut me Serbinë, rënien ekonomike dhe së fundmi rritjen e çmimeve.

Demhasaj: Në përgjithësi nuk është se ka pasur diçka për të veçuar që kjo qeveria ka bërë nëse krahasojmë me qeveritë e kaluara. Në njëfarë mënyre nëse flasim për çështjen e dialogut aty ku kemi qenë aty kemi mbetur prapë nuk është që është zhvilluar diçka e madhe në çështjen e dialogut, akoma Kosova ka mbetur peng në këtë proces dhe ky proces më pas po i mban peng edhe shumë procese të tjera. Nëse flasim për çështjet e zhvillimit ekonomik apo rritjes së punësimit prapë se prapë nuk është se kemi ndonjë zhvillim të madh ekonomik që kjo ka derivuar në rritje të numrit të punësimeve. Po ashtu nëse flasim tani kemi pasur numër tejet të madh të çmimit që kjo ka reflektuar në inflacion të madh e që në njëfarë mënyre ka shkuar në dëm të qytetarëve.

Demhasaj shton se sa i përket diplomacisë, ka pasur më shumë degradim se sa zhvillim për shkak të skandaleve në institucionin e Ministrisë së Jashtme dhe se në një vit asnjë shtet nuk e ka njohur Kosovën si shtet.

Demhasaj: Në aspektin e politikës së jashtme mendoj se nuk ka pasur hiç zhvillim, mendoj që ka pasur degradim për shkak se nuk mund të themi se ka pasur zhvillime pozitive në politikën e jashtme përmes numrit të madh të shkarkimeve që kanë ndodhur qoftë në sistemin diplomatik apo brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme. Nëse hyjmë analizojmë një vit të politikës së jashtme shohim se ka pasur një vit me plotë skandale nga vetë ministrja e Punëve të Jashtme e që kryeministri nuk ka marr masa. Është premtuar që do të ketë rritje të numrit të njohjeve në momentin kur këta vijnë në pushtet, nuk kemi parë asnjë njohje për një vit të qeverisjes Kurti. Pra nuk mund të themi që ka qoftë edhe një zhvillim pozitiv në diplomaci që mundemi ta veçojmë për këtë vit të Qeverisë Kurti.

Sipas aktivistit, progres është shënuar vetëm në procesin e vaksinimit kundër Covid-19 dhe disa iniciativa për reformën në drejtësi.