"Putin si Millosheviçi", Presidenti i Malit të Zi: Në çdo moment mund të nisë një luftë në Ballkan

Presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviç ka thënë se ka ngjashmëri të akteve të sulmit mes Vladimir Putinit dhe Sllobodan Millosheviçit. Kreu i shtetit malazez e ka quajtur neutralitetin e Serbisë për luftën në Ukrainë një histori kalamajsh.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç duke folur në një intervistë ka bërë një krahasim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe liderit të ish-Jugosllavisë Sllobodan Millosheviç.

Gjukanoviç: Qëllimet historike mes Putinit dhe Millosheviçit janë të ngjashme, të motivuara nga zgjidhja e çështjes kombëtare bazuar në përkatësinë etnike dhe fetare. Gjithashtu kontrolli total i medies është në një nivel të lartë.

Duke folur për përshkallëzimin e situatës në Ukrainë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kreu i shtetit malazez tha se një konflikt mund të ndodhë në çdo moment e në çdo shtet, por megjithatë ai nuk beson se situata do të arrijë deri aty.

Gjukanoviç: Projekti “Bota Ruse” quhet “Bota Serbe” në Ballkan. Forcat pro-ruse në Serbi, Mal të Zi dhe Republika Srpska po organizojnë mitingje në mbështetje të Putinit dhe festojnë bëmat e ushtrisë ruse. Në çdo moment edhe në çdo shtet ballkanik mund të nisë një luftë, ka plot pretekste për diçka të tillë, megjithëse nisja e tyre zbehet pas reagimit vendimtar dhe në kohë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s për dënimin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe besoj se nuk do të ketë luftë në Ballkan.

Duke folur për mos dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, Gjukanoviç e quajti histori kalamajsh vendimin e Serbisë për të qëndruar neutrale.

Gjukanoviç: Serbia fatkeqësisht është një përfaqësuese e hapur e Kremlinit në Ballkanin Perëndimor. Pak kryeqytete evropiane, në mos i vetmi, që nuk e dënuan agresionin rus dhe që nuk iu bashkuan politikës së sanksioneve të Bashkimit Evropian, edhe pse vendi është kandidat për t’u anëtarësuar. Historia e neutralitetit është një histori për fëmijët e vegjël.