Java e nxehtë e diplomacisë, Biden udhëton për në samitin e NATO-s
Lufta në Ukrainë ka detyruar presidentin e SHBA-ve Joe Biden për të udhëtuar këtë javë në Evropë ku do të marrë pjesë në samitin e liderëve të NATO-s, Këshillit të Evropës dhe të G7 ku do diskutohet për sanksionet. Në agjendën e presidentit përshihet edhe një vizitë në Poloni për shkak të rolit të tij vendimtar gjatë krizës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden pritet të nisë një tur në Evropë nga e mërkura.
Sipas informacioneve të fundit, Shtëpia e Bardhë ka futur në listën e agjendës së 79-vjeçarit edhe një vizitë në Poloni të premten.
Biden do të udhëtojë drejt Varshavës pë r t’u takuar me presidentin e vendit, Andrzej Duda.
Takimi i cili pritet të mbahet të shtunën është i pari që kur presidenti Biden mori detyrën në 20 janar të vitit 2021.
Polonia është një bërë shtet vendimtar sa i përket krizës në Ukrainë.
Vendi ka pritur mijëra trupa amerikanë të cilët janë vendosur për mbrojtur territorin e NATO-s nga ndonjë përshkallëzim i forcave ruse, si edhe ka mirëpritur më shumë se 2 milionë ukrainas të cilët ikin nga lufta, duke u bërë kështu shteti që ka pritur më shumë refugjatë se kushdo tjetër.
Ndërkohë të mërkurën kreu i Shtëpisë së Bardhë do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në samitin e liderëve të vendeve anëtare të NATO-s.
Samiti i së enjtes do të ketë në fokus parandalimin e përshkallëzimeve dhe mbrojtjen e bllokut të Aleancës së NATO-s.
Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka thënë se qëllimi i samitit është shprehja e mbështetjes për Ukrainën si edhe mbrojtja e çdo vendi anëtar të NATO-s.
Biden do të marrë pjesë gjithashtu në një samit të Këshillit të Evropës për të diskutuar sanksionet e aleatëve kundër Rusisë dhe përpjekjet humanitare për miliona njerëz në Ukrainë.
Sipas zyrës së shtypit të Uashingtonit, presidenti amerikan do të takohet edhe me 6 partnerët e shtatë vendeve më të industrializuara të botës për të diskutuar sanksionet ndaj Rusisë dhe pasojat e tyre ekonomike.
Ndërkohë Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë një vizitë të mundshme të Biden në Ukrainë për shkaqe sigurie.

