Sërish bombardime në Kiev, pas 24 orësh kanë rifilluar granatimet në kryeqytet
Forcat ruse kanë bombarduar një qendër tregtare në Kiev ku si pasojë ka humbur jetën një person. Granatimet vijnë pas 24 orësh pa tensione. Ndërkohë në Mariupol autoritetet ukrainase e kanë refuzuar kërkesën e Rusisë e cila bëri thirrje për dorëzimin e qytetit.
Të paktën një person ka mbetur i vrarë nga bombardimet e forcave ruse në një qendër tregtare në kryeqytetin ukrainas të Kievit.
Shpërthimi i madh tronditi pothuajse të gjithë qytetin dhe dëmet materiale ishin të konsiderueshme.
Forcat zjarrfikëse nxorën trupin e pajetë të një personi, ndërkohë ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për njerëz të tjerë që mund të kenë mbetur nën rrënojat e qendrës tregtare.
Kievi është goditur nga një seri sulmesh gjatë javës së kaluar, i fundit ishte të dielën kur u godit një bllok pallatesh ku ngelën të plagosur pesë persona.
Megjithatë, përparimi i Rusisë në Kiev ka ngecur në masë të madhe. Forcat e Moskës përfshihen në luftime sporadike në veriperëndim dhe lindje, por avancimi i tyre ka qenë minimal në dy javë.
Ndërkohë në qytetin port në jug të Ukrainës, Mariupoll autoritetet ukrainase kanë refuzuar kërkesën e Moskës të cilët bënë thirrje për dorëzim.
Ultimatumi i Rusisë ishte deri në orën 05:00 të mëngjesit të së hënës, ku sipas tyre autoritetet ukrainase duhet të dorëzonin qytetin, në të cilin 300 000 njerëz nuk kanë qasje në furnizimin me ushqime dhe energji elektrike.
Sipas Rusisë, nëse qyteti dorëzohej do të hapeshin dy korridore humanitare për evakuimin e civilëve.
Zëvendëskryeministri i vendit tha se nuk mund të bëhet fjalë për dorëzimin e armëve dhe se nuk kishin besim në ofertën e forcave ruse.
