7 Marsi, mësuesit dje dhe sot/ Patushi: Frika dikur ka qenë e imponuar, sot fitohet respekt

Roli i mësuesit po vendoset çdo ditë në sfidë. Edhe pse është i vështirë si profesion është edhe shumë i bukur. Mësuesit janë pa diskutim figurat më të rëndësishme në çdo komb. Dita e mësuesit festohet sipas traditave, kulturave etj. Në vende të ndryshme të botës festohet në ditë të ndryshme ndërsa në Shqipëri festohet në datën 7 mars për shkak të hapjes së shkollës së parë shqipe në vitin 1887. 

Jo vetëm në vendin tonë por edhe në botë mësuesit kanë rrezikuar edhe jetën e tyre duke sakrifikuar kështu për dijen. Të ftuar në emisionin “Jeto me orën” ishin të ftuar 3 arsimtarë të cilët na treguan për vështirësitë dhe sfidat që hasin në ushtrimin e këtij profesioni.

Evans Drishti na tregoi se profesioni i mësuesit nuk është profesion por një mision. Ndërsa Teuta Patushi u shpreh se “Në qoftë se dikur ka qenë mësuesi në qendër të vëmendjes sot është nxënësi”. Mësuesit në sytë e nxënësve janë si udhëheqësit e tyre drejt rrugës së dijes. 

Ndryshimi që ka arsimi nga dje dhe sot është teknologjia dhe zhvillimi i saj pasi e ka bërë detyrën e mësuesit dhe nxënësit më të lehtë dhe jo vetëm.

Në ditët e sotme nxënësit janë më të lirshëm në komunikim me mësuesit ndërsa më parë nxënësit kishin “frikë” nga figura e tyre. Me kalimin e kohës duket sikur figura e mësuesit është “zbehur”. Në sistemin e sotëm arsimor mënyra e vlerësimit në krahasim më kohët më parë gjithashtu ka ndryshuar. Çdo nxënës është një intelektual në vetvete.

Sfida më e madhe është roli i mësuesit për të edukuar brezat e rinj. Roli i mësuesit është i pazëvendësueshëm duke qenë kështu ikona e dijes duke qenë se statusi i tij është domosdoshmëri në ditët e sotme. Trinomi mësues-prind-nxënës është pa diskutim çelësi i dijes.