Ktheu banesën në shtëpi bari, arrest me burg 40 vjeçarit, lirohen 3 punonjësit e OSHEE-së

Gjykata e Vlorës mbajti në burg 40 vjeçarin Anesti Rrapaj i cili kishte ngritur një shtëpi bari ku po kultivonte me llampa 330 rrënjë kanabis.  Tre punonjësit e OSHEE që u vunë në pranga për shkak të lidhjes së paligjshme të energjisë u nxorën nga qelia.

Anesti Rrapaj, 40-vjeçari që kishte ngritur një shtëpi bari në Lagjen Kushtrimi në Vlorë mbeti ne qeli.

Gjykata e Vlorës caktoi për të masën e sigurisë arrest me burg  pa afat për akuzat “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”.

Ai u vu në pranga më 2 Mars kur blutë e Vlorës zbuluan laboratorin e rritjes së kanabisit me llampa.

Lidhja e paligjshme energjisë elektrike me të cilën furnizohej shtëpia e barit çoi në prangat e policisë edhe tre punonjës të OSHEE në Vlorë.

Por gjykata këtë të hënë vendosi ti nxjerrë nga qelia dhe të hetohen me masën e sigurisë detyrim paraqitje për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

40 vjeçari Anesti Rrapaj e kishte ngritur laboratorin e kanabisit në banesën e një të afërmi që ia kishte lënë shtëpinë nën kujdes.

Aty kishte nisur kultivimin e 330 rrënjëve bimë narkotike.

Mbi to qëndronin të vendosura për ti ngrohur 88 llamba ndërsa muret ishin veshur me material për të ruajtur nxehtësinë.

18 freskuese dhe 5 aspiratorë përdoreshin për të qarkulluar ajrin nga shtëpia e barit.

Një sasi tjetër kanabisi ndërkohë ishte në proces tharje.

Të ashtuquajturat shtëpi bari janë konfirmuar në mënyrën kryesore të kultivimit të bimëve narkotike në Shqipëri, krahas parcelave të vogla në zonat e thella malore.

Pak javë më parë, policia e Shtetit nisi një aksion kontrollesh në të gjithë vendin të magazinave dhe objekteve të tjera që mund të jenë përshtatur  për rritjen e bimëve narkotike.