Dita e 12-të e luftimeve, Rusia dhe Ukraina ulen sot në tavolinë

Në ditën e 12-të të luftimeve, Ukraina dhe Rusia pritet të takohen për raundin e tretë të negociatave, që të dyja palët thanë se mund të zhvillohet të hënën. Vendndodhja dhe koha e saktë për bisedimet janë ende të paqarta.

Dy delegacionet u takuan për herë të fundit në rajonin e Brest-it në Bjellorusinë perëndimore. Gjatë raundit të dytë të bisedimeve të dyja palët ranë dakord që të krijohen korridore humanitare në qytetet e Mariupol dhe Volnovakha për të lehtësuar evakuimin e civilëve.

Megjithatë, përpjekja për të evakuuar Mariupol dështoi të dielën, sipas Kremlinit dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Rusia dhe Ukraina fajësuan njëra-tjetrën për mosrespektimin e armëpushimit të rënë dakord.

Rusia ka kërkuar të ndërpresë hyrjen e Ukrainës në Detin Azov në jug. Marrja e Mariupolit mund t'i lejojë Rusisë të krijojë një korridor tokësor për në Krime, të cilin e aneksoi në 2014.