Dialogu Kosovë-Serbi, Bislimi: Përparim për një zgjidhjeje finale për energjinë në veri
Kosova dhe Serbia po realizojnë hapa konkretë për zgjidhjen e problematikes së energjisë në veri dhe arritjen e një marrëveshje për personat e pagjetur. Në takimin e fundit të mbajtur në shkurt, palët kanë shprehur optimizëm ndërsa takimi i radhës pritet të mbahet në fillim të muajit prill.
Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi ka paralajmëruar së shpejti arritjen e marrëveshjes me Serbinë për energjinë në veri dhe për personat e pagjetur. Këto dy problematika ishin në fokus të takimit të fundit më 22 Shkurt të kryenegociatorëve të dy vendeve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
"Në kuadër të angazhimeve të deritanishme kemi përparuar dukshëm në gjetjen e një zgjidhje finale për energjinë në veri. Problematikë kjo e trajtuar në kuadër të dialogut që nga vitit 2013, por e pazgjidhur deri tani. Kjo temë është diskutuar me BE-në edhe në takimin e fundit, pritjet tona janë që e njëjta të finalizohet shumë shpejtë. Kjo do t’i hapte rrugë futjes në sistem legal gjithë shfrytëzuesve të energjisë duke vendosur parimin e barazisë."
I pranishëm në takim ishte dhe përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak. Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, ka bërë të ditur se në tryezë është diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve të shkuara dhe marrjen e hapave konkretë për problematikat e energjisë dhe trupave të pagjetur.
Gjetja e një zgjidhjeje për energjinë në veri ka qenë një kërkesë e sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken. Në një letër drejtuar kryeministrit Kurti, ai inkurajon autoritete kosovare që të punohet mbi këtë aspekt, si një hap që do të ndikonte dhe në neutralizimin e konflikteve të përgjithshme mes palëve.
Takimi i delegacioneve respektive vjen pas disa muajsh pauzë, kurse takimi i radhës pritet të mbahet para zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi, me 3 Prill.
