Lufta Rusi-Ukrainë, Abazi: Serbia vijon lojën e dyfishtë duke mos kundërshtuar sulmin rus

Kuvendi i Kosovës miratoi sot, 3 mars një rezolutë kundër agresionit rus. Deputetët votuan unanimisht Pro me përjashtim të përfaqësuesve të listës serbe. Në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, ish-zëvendës kryeministri i Kosovës Haki Abazi u shpreh se Kosova e bashkë-ndjen dhimbjen e ukrainasve duke qenë një vend që i ka përjetuar të njëjtat sulme lufte nga Serbia.

Abazi: Si një vend që ka dalë nga sulmi i tmerrshëm i Serbisë, nuk mund të mos e bashkë-ndiejmë dhimbjen e ukrainasve. Kjo rezolutë kërkon së pari që në nivelin njerëzor kërkon të tregojë solidaritetin e plotë me Ukrainën. Së dyti ngre alarmin për atë që ç'do të thotë një konflikt i Rusisë me Evropën dhe me pjesët e mbetura ose hallkën e dobët të sigurisë në Ballkan. Kosova është një "thembër e Akilit" meqë ende nuk është pjesë e NATO-s dhe i është kërcënuar në vazhdimësi siguria nga ana e Serbisë. Me këtë rezolutë gjithashtu duam të përcjellim mesazhin që është koha për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe organizma të tjerë ndërkombëtare ku është ndaluar të marrë pjesë pikërisht nga Rusia dhe Serbia.

Për shkak të luftës që ka nisur në Ukrainë e gjithë Evropa është vënë në alarm.

A është Kosova në këto momente më shumë se sa vendet e tjera të rajonit e rrezikuar nga Serbia?

Abazi: Është shumë e vështirë të vlerësohet se çfarë mund të bëjë Serbia në listën e detyrave që mund t'i japë Serbia si partnere, mirëpo ajo që është shqetësuese është fakti që Serbia vazhdon të luajë lojën e dyfishtë duke mos e dënuar drejtpërsëdrejti agresionin rus në Ukrainë. Gjithashtu bashkangjitur është edhe informacioni tashmë i njohur për publikun, që ka disa qendra ku ka njerëz, trupa ruse  që në vijë ajrore i bie rreth 10 km larg Kosovës ku për vite të tëra qëndrojnë aty dhe sigurisht që nuk qëndrojnë për një gjë të mirë. Ne nuk mund të jemi as naivë dhe as të fjetur përballë lëvizjeve të mundshme që mund të bëjë Serbia si një partner i mundshëm i Rusisë.

A ka pasur lëvizje kohët e fundit?

Abazi: Qytetarët në brezin kufitar tregojnë për një lëvizje të shtuar, një numër të shtuar të xhandarmërisë serbe, por nuk është për panik. Nuk e dimë se për çfarë arsye janë duke e bërë këtë. Është fat i mirë që në Kosovë ka prezencë të forcave të NATO-s dhe KFOR-it.