BE i ‘i pret’ krahët Kosovës: S’ka procedura të përshpejtuara për anëtarësim në BE e NATO

Eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën, Fiola fon Kramon, ka deklaruar nga Prishtina se nuk ka procedura të përshpejtuara për anëtarësim në NATO e BE, ajo shtoi se vendit mund t’i jepet mundësia për të hyrë në Këshillin e Evropës, sidomos tani që Rusia la një vend bosh. 

Nuk ka procedura të përshpejtuara për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO ka deklaruar nga Prishtina eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon.

Ajo tha se Kosova aktualisht duhet të fokusohej te liberalizimi i vizave dhe dialogu me Serbinë.

Von Cramon: Nuk shoh se ka ndonjë procedurë të përshpejtuar për këdo këtu. Por prapë duhet të luftojmë për ju sa i përket liberalizimit të vizave, ky është hapi i parë. Pastaj duhet të kemi dialog të suksesshëm, ky është hapi i radhës dhe pastaj mund të fillojmë rrugën normale të integrimit evropian. Nuk shoh se ka një shumicë, ndoshta e kam gabim dhe nuk e kam llogaritur mirë, por sa kam dëgjuar deri tani nuk ka një procedurë të përshpejtuar për anëtarësimin e Kosovës në NATO e BE.

Në ditën e fundit të qëndrimit në Kosovë, përmes një konference për medie Von Cramon tha se Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës dhe sidomos tani pas pezullimit të Rusisë, kushtet janë më të favorshme.

Von Cramon: Dëshmojmë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet kryesore për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Meqenëse Rusia është pezulluar, mendoj se do mund të gjenim shumicën për aplikimin e Kosovës.

Von Cramon, nga Prishtina dënoi edhe protestat pro-ruse të cilat u mbajtën të premten në Beograd.

Ajo i quajti ato irrituese, por sipas saj serbët e veriut të Kosovës nuk duan tensione dhe ajo argumentoi se dialogu me Serbinë duhet të shtrihet deri te njerëzit dhe nuk duhet parë vetëm si një aktivitet politik.

Kujtojmë që pas nisjes së luftës në Ukrainë, Prishtina zyrtare bëri thirrje për procedura të përshpejtuara për t’u anëtarësuar në NATO.