Kërcënimi i Serbisë për Kosovën, Oketa: S’ka guxim të nisë vatër të re konflikti. Të reagojë Shqipëria

Disa ditë pasi Kosova bëri thirrje për anëtarësim në NATO, Serbia thotë se akti kërcënon Serbinë dhe do ta detyronte vendin t’i përgjigjej ushtarakisht.

Në lidhje me këtë ish-Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, tha se Shqipëria duhet të dalë me një kundërdeklaratë për Serbinë, pas kërcënimit që i ka bërë Kosovës.

Gazmend Oketa: Krijimi i vatrave të tjera të tensionit ka qenë një çështje e cila edhe pa konfliktin ruso-ukrainas, ishte një çështje që diskutohej. Mjafton të kujtojmë situatën jo stabël që është një Bosnje-Hercogovinë. Nga ana tjetër përpjekjet e Serbisë për një militarizim disi jo normal kanë ngritur shumë shqetësime lidhur me këtë çështje. 

Shqipëria duhet të ridimensionojë qëndrimet dhe politikat në raport me Serbinë. Rama nuk ka dëgjuar këshilltarët e duhur. Një nga këto është edhe Ballkani i Hapur. Gjëja e parë që duhet të bëjë qeveria shqiptare pas deklaratave nga Serbia, duhet të dalë me një kundërdeklaratë.

Ndër të tjera ai tha se nuk beson se Serbia ka guxim të nisë një vatër të re konflikti në Ballkanin Perëndimor.

Gazmend Oketa: Nuk gjykojë se pala serbe do të marrë guximin të nisë një vatër të re konflikti në Ballkanin Perëndimor. Mjafton të shikojë sanksionet që i janë vendosur Rusisë.

I pyetur se a ka kapacitete ushtarake Shqipëria në rast konflikti, Oketa u shpreh: Sigurisht që Shqipëria ka kapacitete ushtarake, kemi një ushtri të reformuar të strukturuar mbi normat e parimeve të Atlantikut të Veriut. Ky është një fakt.