Jeton prej vitesh në SHBA, Gazetarja Drenica Qelia: U rrita në televizionin Ora News

Në pjesën e dytë të emisionit të pasdites në “Jeto me orën” në RTV ora ditën e sotme po ashtu i’u kushtua një personazhi tjetër në fushën e gazetarisë Drenica Qelia. 

Ajo e nisi rrugën drejt profesionit të saj pikërisht këtu në Ora News, si gazetare, e tashmë prej kohësh jeton jashtë Shqipërisë dhe e ushtron këtë profesion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo rikujtoi hapat e parë të saj në televizionin Ora News.

“Vij këtu pas 6 vitesh që isha shkëputur, dhe kam ndjeva shumë emocion dhe nostalgji. Fillimet e mija këtu janë me shumë emocion, kur u bëra pjesë e këtij televizioni për herë të parë isha student. Dhe në atë kohë, periudhë të bëhesh pjesë e një studio është shumë fat dhe ndjesi e mirë. Mbaj mend që qëndroja këtu 8 orë duke provuar zërin dhe stërvitur le të themi atë për të lexuar kronikat. Unë jam rritur këtu në këtë televizion, kam qenë pjesë e tij prej 10 vitesh”, tha Qelia.

Mes aktrimit dhe gazetarisë, ajo tha se zgjodhi këtë të fundit.

“Kam qenë gjithmonë mes degës së aktrimit dhe gazetarisë, kur kam fituar këtë degë në studime ka qenë një ndër momentet më të mira të mija. Ky profesion është i vështirë, do sakrificë dhe përkushtim”, tha ajo. 

Qelia gjithashtu u shpreh se “gazetaria e terrenit kërkon përgjegjësi dhe saktësi. Je nën trysnin e marrjes së informacionit, duhet të krijosh kontakte”.

Qelia po ashtu u ndal edhe në emigrimin e saj në Amerikë, ku tha se fillimet nuk kanë qenë të lehta për të.

“Fillimet e mija në SHBA kanë qenë të vështira, saqë shpesh herë i thosha vetes se pse ndodhesha aty. Por, pastaj e mendoja si një sfidë dhe duhet të përballesha me të. Në fakt të them të drejtën të huajt nuk janë aq mikpritës sa duken”, përfundoi ajo.