Sa do zgjasë konflikti? Macron: Përgatituni për një luftë të gjatë; Truss: Fillimi i fundit të Putinit

Për zyrtarët e lartë ndërkombëtarë, presidentin francez Macron dhe kryediplomaten britanike Truss, konflikti në Ukrainë do të zgjasë. Ndërkohë që rusët hynë të dielën në qytetin e dytë më të madh në Ukrainë, për shumë analistë ushtarakë, vendi po shkon drejt një lufte guerrile.

Një pyetje që ngërthen kureshtjen e shumë qytetarëve është se sa do të zgjasë lufta mes Ukrainës dhe Rusisë.

Rusët kanë hyrë në ditën e katërt në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, ndërsa ushtria vijon avancimin dhe ka territore të gjera të Ukrainës nën kontroll.

Për shumë analistë mund të jemi duke shkuar drejt një lufte guerrile.

Sekretarja e jashtme britanike Liz Truss thotë se pushtimi rus i Ukrainës mund të jetë 'fillimi i fundit' për Vladimir Putin, por paralajmëroi se Evropa duhet të përgatitet që konflikti të zgjasë për 'disa vjet'.

Edhe shefi i Elizesë, Emanuel Macron, tha se bota duhet të përgatitet për një luftë të gjatë midis Rusisë dhe Ukrainës.

"Mund t'ju them një gjë, se kjo luftë do të zgjasë," tha Macron në panairin vjetor të bujqësisë në Francë.

“Kjo krizë do të zgjasë, kjo luftë do të zgjasë dhe të gjitha krizat që vijnë me të do të kenë pasoja”, ndërsa paralajmëroi se duhet të jemi të përgatitur.

Një aspekt tjetër për të cilin është duke u përgatitur Bashkimi Evropian është edhe mundësia e një krize humanitare, ku me mijëra qytetarë ukrainas drejtohen për në vendet e BE-së për shkak të konfliktit.

Ndërkohë, Kremlini njoftoi të dielën se një delegacion rus ka mbërritur në qytetin bjellorus të Homelit për bisedime me zyrtarët ukrainas, por Ukraina ka thënë se nuk do të marrë pjesë në bisedimet në Bjellorusi pasi u përdor si terren për pushtimin rus.