Zelensky bisedon me liderin e Bjellorusisë, padi në Hagë ndaj Rusisë, forcat ruse zmbrapsen nga Kievi dhe Kharkivi

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ka folur me liderin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, por nuk ka dhënë asnjë detaj se çfarë është diskutuar.

Rusia tha se një delegacion kishte mbërritur në Bjellorusi - gjoja për bisedime me Ukrainën.

Por Zelensky e hodhi poshtë ofertën duke thënë se bisedimet në Minsk mund të ishin të mundshme nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar Ukrainën nga territori bjellorus.

Por ai tha se mbetet i hapur për negociata në vende të tjera.

Ndërkohë Ukraina ka paraqitur një ankesë kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ku kërkon që të urdhërojë ndalimin e pushtimit të Moskës.

GJND-ja, e cila ka selinë në Hagë, është gjykata më e lartë e OKB-së dhe vendos nëse një shtet ka shkelur apo jo ligjin ndërkombëtar.

Gjykata nuk mund të ngrejë kallëzime penale kundër krerëve individualë të shtetit.

Kryetari i Kievit: Nuk ka trupa ruse në kryeqytet

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë se në kryeqytetin ukrainas nuk ka trupa ruse.

Ai ka thënë se zyrtarë “ushtarakë, ata për zbatim të ligjit dhe mbrojtja territoriale”, janë duke vazhduar “vëzhgimin dhe neutralizimin e sabotuesve”.

Siç kemi raportuar më herët, njerëzit në Kiev janë urdhëruar që të qëndrojnë brenda deri të hënën, me paralajmërime nga autoritetet se kushdo që del jashtë “do të konsiderohet anëtar i grupeve sabotuese nga ana e armikut”.

Klitschko ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se prej nisjes së pushtimit rus, nëntë civilë “kanë humbur ose janë vrarë”, në Kiev, përfshirë një fëmijë.

Forcat ruse është raportuar se janë në afërsi të Kievit prej të premtes.

Guvernatori i Kharkivit: Ukrainasit kanë kthyer kontrollin e qytetit

Raportohet se forcat ukrainase kanë rikthyer kontrollin e qytetit të dytë më të madh të Ukrainë, Kharkiv.

Në një postim në Telegram, Oleh Synyehubov ka thënë se kontrolli i Kharkivit “është i gjithi i yni”.

“Forcat e armatosura, policia, forcat e mbrojtjes janë duke punuar dhe qyteti është duke u pastruar plotësisht nga armiku”

Trupat ruse kanë arritur të hyjnë në këtë qytet natën e kaluar.

Në disa pamje që kanë qarkulluar në rrjetet sociale janë parë përleshje në mes të trupave ukrainase dhe atyre ruse.