Vuçiç shqetësohet se kriza mund të përhapet në Europë e Ballkan, i kërkon Ushtrisë të përgatitet

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë të hënën që ka shqetësime se kriza e Ukrainës “mund të përhapet në pjesë tjera të Evropës dhe në botë, sidomos në Ballkanin Perëndimor”, transmeton agjencia e lajmeve AFP.

Vuçiç ka vlerësuar se edhe Serbia do të përjetojë presion të madh për shkak të ngjarjeve botërore që do të shkaktojnë krizë në disa fusha.

Ai i ka bërë këto deklarata pasi presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar të hënën, 21 shkurt, trupat ruse që të dërgohen në rajonet e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës.

“Sigurisht që jam i shqetësuar për situatën” ka thënë ai.

"Kam qenë për një kohë të gjatë në pushtet por ajo çfarë na pret nuk do të jetë aspak e lehtë. Kjo po shkatërron tërësisht arkitekturën e sigurisë në botë, askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë. Ajo çfarë ne dinim nuk ekziston më” tha Vuçiç, citon radio serbe B92.

Të hënën e 21 shkurtit 2022 në Serbi u mbajt një session i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të folur mbi situatën në lindje të Europës dhe në Ballkanin Perëndimor.

“Sot pasi sesionit lëshova një urdhër Ushtrisë si Komandat i Përgjithshëm të përgatitet në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne do të vijojmë të blejmë çfarë është më e mira për vendin tonë” tha Vuçiç

Liderët e Perëndimit kanë paralajmëruar se përshkallëzimi ushtarak do të nxisë pasoja masive për Moskën.

Ky vendim i Putinit ka ardhur disa orë pasi ai ka nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore të Ukrainës si Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura.

Në dekret është thënë se vendimi duhet të zbatohet menjëherë.

Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër vendimin e Putinit.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se mbesin plotësisht mbështetëse të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj ndërkombëtarë.