Gjendet i gjallë një nga 12 pasagjerët e zhdukur, momenti kur zbret me shkallë nga trageti. Dëshmia: Dëgjoja zëra...
Një nga 12 personat e zhdukur të “Euroferry Olympia” është gjetur i gjallë në skajin e tragetit që digjej nga zjarri.
Sipas informacioneve bëhet fjalë për një 21-vjeçar bjellorus i cili është në gjendje të mirë shëndetësore.
EMAK përdori një shkallë për ta larguar nga trageti, ndërsa ai hipi në një mjet tjetër me shpëtimtarët që prisnin që t'i jepnin ndihmën e parë.
Ai dyshohet se është ngjitur vetë në kuvertë dhe prej andej ekuipazhet e kanë zbritur.
21-vjeçari ka deklaruar se herë pas here dëgjonte zëra të tjerë brenda anijes, çka forcon shpresën për vendndodhjen e të zhdukurve të tjerë.
Zhvillimi u konfirmua edhe nga ministri grek i Transportit.
Autoritetet shpresojnë se pasagjeri do të jetë në gjendje të japë informacion për të zhdukurit e tjerë.
Kujtojmë se anija mbante 239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit. Deri më tani rezultojnë të zhdukur 12 persona, mes të cilëve tre grekë. Tani janë 11 të zhdukur.
Anija tërhiqet në veri të Korfuzit
Në të njëjtën kohë, anija është tërhequr në një ankorim të sigurt, në veri të Korfuzit, në verilindje të gjirit të Kasiopisë, pasi priten erëra të forta dhe anija është anuar, fakt që shqetëson autoritetet.
Brenda tij janë ende të pranishme shpërthime tymi, ndërsa tre patrulla të Marinës Greke, një mjet zjarrfikës i Shërbimit Zjarrfikës dhe pesë rimorkiatorë po punojnë ende për shuarjen e tij.
Ankesa për anijen që nga viti 2017
Ankesat e qershorit 2017 ishin bërë nga Unioni i Kamionistëve Profesionistë të Greqisë për kushtet në anijen “Euroferry Olympia”, si dhe në anijen “Euroferry Egnazia” të kompanisë Grimaldi.
Në një shkresë përkatëse drejtuar Ministrisë së Transporteve dhe autoriteteve portuale të Patrës dhe Igumenicës, drejtuesit profesionistë theksonin se gjendja e tyre ishte e ngjashme me “Norman Atlantic”.
“Stopimi i kamionëve nuk respekton rregullat e sigurisë për lundrimin e anijeve (sipas denoncuesve janë aq afër njëra-tjetrës sa nuk mund të kalojë as një person 30 kg) ”, thuhet në letrën e tyre.
Ata vunë në dukje se shoferët " flenë kudo që të munden", madje edhe në automjetet e tyre.
Në të njëjtën letër ata deklaronin se kabinat nuk ishin në gjendje të mirë, se klima nuk funksiononte.



