Opozita: Kurti zero transparencë për procesin e dialogut
Përpara se të mbahet takimi i radhës në Bruksel në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, opozita kosovare është skeptike lidhur me dialogun, pasi sipas tyre transparenca nga qeveria Kurti është zero.
Partitë opozitare thonë se pala kosovare me idetë e saj nuk do të prodhojë marrëveshje përfundimtare dhe as njohje reciproke.
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria i ka ikur kërkesës për njohje reciproke dhe se transparenca është zero sa i përket dialogut.
"Gjatë kësaj qeverisje kam përshtypjen që ka dalë nga binarët procesi i dialogut. Duhet shtuar në këtë proces që ka transparencë zero," tha Hoti.
Edhe deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri thotë se kryeministri Kurti nuk ka qenë transparent në raport me kuvendin për takimet që ka mbajtur dhe se roli i kuvendit në dialog është inekzistent.
"Kryeministri Kurti ka instaluar një praktikë të dëmshme, s'ka qenë fare transparent në raport me Kuvendin edhe për takime që ka mbajtur," tha Tahiri.
Kreu i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri deklaroi se forca e tij politike do ta mbikëqyrë qeverinë që të mos ndërmarrë veprime që mund t’i kushtojnë Kosovës.
Sa i përket dialogut, neogociatorët e palës serbe dhe asaj kosovare pritet të takohen të martën në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
