Policia, besim apo zhgënjim?

Gati 5 muaj më parë, kur Gledis Nano u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, prej shumëkujt ky vendim i qeverisë nuk u pa si një akt administrativ për të zëvendësuar njërin drejtues me pasardhësin, por më shumë se kaq, u lexua si një mesazh ndryshimi në koncept dhe në frymën e drejtimit të organizatës së Policisë së Shtetit.

Duke i dhënë përparësi profesionalizmit dhe integritetit, ndershmërisë dhe vendosmërisë në zbatimin e ligjit, emri i drejtorit të ri të Policisë së Shtetit me të drejtë krijoi pritshmëri se ky model do të shndërrohej në një standard qasjeje në atë se si do të përzgjidheshin edhe drejtuesit e tjerë të policisë, me synim rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe të bashkëveprimit të tyre me policinë e shtetit, pasi kushti i parë i suksesit të një drejtuesi është fryma e ekipit dhe respekti i integritetit dhe profesionalizmit të gjithsecilit.

Policimi në komunitet nuk është thjeshtë prania e punonjësit me uniformën e policit atje ku jeton dhe punon qytetari, por është qytetari dhe etikë, është respekt dhe ndershmëri e ndërsjelltë, prej nga ku lind besimi, mbështetja dhe respekti, pa të cilin misioni i policit mbetet e kompromentuar.

Gledis Nano u shndërrua pa dashjen e vet, po prej pritshmërive të qytetarëve në një referencë, në modelin se si e duam policinë, larg disa modeleve që përveç uniformës, asgjë tjetër nuk i lidh me Policinë e Shtetit.

Të njohur edhe prej vetë efektivave, disa drejtues servilë e mediokër, të pakulturuar dhe injorantë jo vetëm profesionalisht por edhe në treguesit e kulturës së përgjithshme, vazhdojnë t’i krijojnë kosto Policisë së Shtetit dhe e komprometojnë imazhin dhe besueshmërinë e saj në publik.

Me emërimin e drejtorit te ri të policisë, u krijua idea se ndryshimet do te sillnin një lidership te ri ne Policinë e Shtetit edhe në përputhje me pritshmëritë e publikut, por më shumë për të rritur besimin te profesionistët e rinjtë e të zotë.

Por me sa duket jo gjithçka është projektuar për të qenë në nivelin e pretendimeve dhe të pritshmërive të Drejtorit të Përgjithshëm, sepse me sa duket po e detyrojnë të rikthehet tek te njëjtët emra, nga ata që qarkullojnë sa nga një drejtori në tjetrën pa prodhuar asgjë e madje, një pjesë e të cilëve kanë qenë drejtues edhe kur kanabizohej Shqipëria.

Ish ministri i brendshëm përfundon në burg bashkë me një drejtor policie qarku, ndërkohë që nëse ministri ka kryer shpërdorim detyre me veprimet apo mosveprimet e tij, po Drejtoria e Përgjithshme e Policisë çfarë ka bërë gjatë asaj kohe, kur ligjërisht ministri nuk ka asnjë tagër mbi emërimet në polici dhe mbi veprimet operacionale të saj?

Policia është e shtetit, nuk është e pushtetit.

Shenjtëria e uniformës dhe sakrifica e punonjësve të saj, dëshmorët por edhe kolegët e tyre në detyrë apo në rezervë, të gjithë njerëzit me uniformë por edhe të tjerët që e kanë lidhur jetën me shërbimin në Policinë e Shtetit, kanë nevojë për drejtues të zotë, të aftë, të devotshëm dhe të pakorruptueshëm që kanë vetëm kultin e ligjit dhe ndjenjën e shërbimit ndaj qytetarëve.

Policia që duam duhet të bëhet e tillë.

Ne nuk mund ta duam prej predikimit, por do ta duam prej shërbimit.