Ishte fitore, jo për Ilir Metën

Për ata që e panë si betejë mes Ilir Metës dhe Edi Ramës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte humbje e të dytit dhe fitore e të parit. Ata që e panë si provë të institucionit më të lartë që ka prodhuar Drejtësia e re, mund ta kenë certifikuar Gjykatën Kushtetuese, ndoshta edhe Reformën në Drejtësi. Me këtë argument po krenohen edhe deputetët e Rilindjes.

Pasi gëlltitën gjithë natën vendimin e orëve të vona të mbrëmjes së të mërkurës, që ua bëri nul votimin me urgjencë në fund të mandatit të Parlamentit të shkuar, ata po flasin për Drejtësi të pavarur, që nuk impresionohet nga maxhoranca.

Nisur nga kjo alibi e kapësve të Drejtësisë, më skeptikët e quajnë vendimin 6 me 1 kundër shkarkimit të Ilir Metës, si një lojë të maxhorancës. Meqënëse shkarkimi i Metës nuk do të kishte ndonjë efekt, vetëm 4 muaj përpara përfudimit të mandatit, i gjithëpushtetshmi ka urdhëruar të mos shkarkohet Meta në mënyrë që Kushtetuesja të fitojë integritetin e vënë në dyshim.

Mund të ketë qenë edhe një vendim personal i gjithsecilit prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që e kanë shprehur në vendim se nuk kanë gjetur asnjë shkelje të rëndë të Kushtetutës në ndonjë nga argumentet me të cilat parlamenti votoi shkarkimin.

Sot diskutohet për lojë, për integritetin e Gjykatës Kushtetuese, për suksesin e reformës, për fitore të Ilir Metës, por jo për atë që fitoi Shteti me precedentin e vendosur mbrëmjen e vonë të së mërkurës.

Kur lufta e ditës të precipitojë dhe gjakrat të ftohen, do kuptohet se vendimi ishte i rëndësishëm, jo për inatin e njërës palë, apo presionin e palës tjetër, jo për vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese, as për bastet që Gjykatësit popullorë vunë nëpër bare ndërsa pritej vendimi.

Ai ishte i rëndësishëm vetëm për precedentin. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë unifikuese, ato shërbejnë si precedente dhe kanë të njëjtën vlerë si një nen i Kushtetutës.

Duke votuar kundër shkarkimit të Presidentit, u krijua precedenti i rëndësishëm i paprekshmërisë të institucionit më të lartë të vendit nga pushteti partiak, sado i pakufijshëm të jetë. Pavarësisht arsyeve që e shtynë Kushtetuesja fitoi një betejë për votëbesimin e saj si mbrojtëse e Kushtetutës.

Jo sepse mbrojti Ilir Metën, por sepse mes dy precedenteve zgjodhi t’ i jepte vendit precendin Demokratik dhe Kushtetues. Precedentin që, sado i çmendur të jetë një parlament, sado i çmendur të jetë autokrati që nuk mëson nga historia, nuk mund të kontrollojë çdo institucion që nuk i shërben atij.

Kjo është një fitore që do të mbetet si shtesë e Kushtetutës edhe në raste të tjera të ngjashme. Është një kolonë e demokracisë që nuk mund të shkatërrohet më dhe për këtë arsye duhet vlerësuar edhe nga ata që kanë frikë se mund të certifikojnë kështu pavarësinë e Drejtësisë së re.

Nëse është prodhuar apo jo Gjykatë Kushtetuese të Pavarur, apo Drejtësi e pavarur, me gjithë institucionet, përfshirë SPAK, mund të gjykohet nga vendimet për zgjedhjet lokale, nga vendimi për Teatrin Kombëtar, nga mënyra se si u trajtuan dosjet 339 dhe 184, apo edhe denoncimet e bëra para zgjedhjeve të 5 prillit nga opozita dhe Presidenti, nga mënyra se si u trajtua cështja e DH Albania dhe së fundi ajo e Patronazhistëve.

Hetimi i inceneratorëve pa përjashtuar askënd në zinxhirin e vendimmarrjes, sado pushtet që të ketë, është prova më aktuale e Drejtësisë së re. Fitorja e djeshme nuk lidhet me këtë provë, ajo lidhet me forcimin e shtetit, duke favorizuar balancimin e pushtetit.