Bujqit e blegtorët italianë në protestë: Çmimi i lartë i energjisë e plehrave kimike rrezik për falimentim
Me qindra bujq e blegtorë italianë kanë manifestuar sot në Romë përballë selive të institucioneve qeverisëse për të protestuar ndaj rritjes së çmimit të energjisë që ka çuar në rritjen e vlerës së produkteve të tyre e në reduktimin e prodhimit.
Për të paguar një kafe në bar, blegtorët italianë duhet të mjelin 3 litra qumësht, që ka vlerë vetëm disa dhjetëra cent me çmimin e stallës, për 1 kg domate prodhuesit paguhen vetëm 10 cent, 1 kg grurë për miell me 31 cent, 18 cent 1 kg karotë, 43 cent 1 kg portokall, 1 euro e 40 cent 1 kg mish derri, 1 kg qumësht 38 cent.
Me një letër të hapur drejtuar kryeministrit Mario Draghi, punonjësit e sektorit agro-bujqësor në Itali, kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë me politika agro-bujqësore që mbrojnë prodhimet Made in Italy, punën e tyre dhe ekonominë vendase ndaj spekulimeve e risqeve të falimentimit.
Me prodhimet e përditshme, mjetet e punës, traktorë e kafshë ata kanë mbushur qysh herët në mëngjes, sheshin përballë prefekturës së Romës, nën thirrjet "Puna jonë është jeta jonë", "Puna duhet të paguhet", Italia është më e fortë me bujqësinë".
Manifestime i tyre denoncon rritjen e çmimit të plehrave ushqyes për tokën e bimët, të produkteve ushqyese për kafshët e energjinë, që ka vënë në vështirësi sektorin me rrezikun e falimentimit të 21% të kompanive të tyre.
Në çdo tre sipërmarrës agro-bujqësorë, një prej tyre ka reduktuar prodhimin për shkak të mospërballimit të kostos së lartë të rritjes së prodhimeve të tyre.
Shoqata e sipërmarrësve agro-bujqësorë, Coldiretti, apelon se ky fakt do të ketë një impakt shkatërrues në të gjithë sektorin ushqimor nga fushat me produkte e deri tek tavolinat e konsumatorëve, me skenarin e një varësie nga jashtë kufijve.
Italia sot është e detyruar të importojë 6% të miellit për bukë, 44% të miellit për makarona, 49% të mishit të vicit, 38% të derrit e 16% të qumështit për konsum.
Çmimet e konsumit për familjet rriten çdo ditë e sipërmarrësit agro-bujqësorë nuk mundin të mbulojnë as çmimet e prodhimit, e shpesh i tregtojnë me çmime nën kosto dhe për shkak të praktikave jo legale të fushatave të marketingut tregtar.
Për çdo 1 euro të shpenzuar nga konsumatori italian për të blerë prodhime të freskëta ushqimore, llogaritet që vetëm 15 cent i shkon prodhuesit e ka raste që zbret dhe në 6 cent.
Është ky një paradoks i madh pasi sektori agro-bujqësor është i vetmi që nuk ka reshtur së punuari as gjatë izolimit total nga pandemia.
"Sot nisim një protestë masive që do të përshkallëzohet në të gjithë Italinë e kërkojnë dinjitet për këto sektorë pilastër të ekonomisë bujqësore italiane. Rritja me 143% të çmimit të plehrave për produktet e 50% të energjisë na kanë vënë në vështirësi serioze. Kemi nevojë të mbrojmë territorin e produktet tona. Rrezikojmë mbylljen e stallave e sipërmarrjeve tona, deklaron zëvendës Presidenti i shoqatës së sipërmarrësve agro-bujqësorë italianë."
"Nga qeveria kërkojmë ndërhyrje të shpejtë e të menjëhershme për të krijuar stabilitet e siguri për prodhimet tona Made in Italy."

