Një person i akuzuar për përdhosje të Kuranit u vra me gurë nga turma e tërbuar në Pakistan

Një burrë në Pakistan u vra me gurë nga një turmë e zemëruar pasi dyshohet se kishte përdhosur Kuranin në një fshat në Pakistanin lindor, tha policia të dielën.

Ngjarja ndodhi në fshatin Jungle Dera të rrethit Khanewal ku vendasit u mblodhën pas njoftimit se një burrë, i identifikuar vetëm me emrin e tij të parë Mushtaq, kishte grisur disa faqe të librit të shenjtë dhe i kishte vënë flakën atyre, raportoi gazeta Dawn.

Turma e tërbuar qëlloi me gurë ndaj tij derisa ai u gjakos për vdekje.

Policia e kishte arrestuar të dyshuarin, por turma e rrëmbeu nga paraburgimi.

Sipas raportimeve, turma e vari pasi e goditën me gurë. Incidenti u dënua nga udhëheqësit më të lartë të vendit, përfshirë kryeministrin Imran Khan.

Mian Mohammad Ramzan, kujdestari i xhamisë i tha Associated Press se ai pa tym brenda xhamisë. Kur hyri brenda ai pa një Kuran që digjej dhe një burrë që po përpiqej të digjte një tjetër.

Ai shtoi se njerëzit filluan të mbërrinin për lutje kur ai po i bërtiste burrit duke i kërkuar të ndalonte.

Policia tha për agjencinë e lajmeve se po shikon pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të identifikuar sulmuesit.