SHBA nuk është e bindur se Rusia po tërheq trupat, DASH: Moska do të përdorë një pretekst për të sulmuar Ukrainën

Një ditë pas asaj që u trumbetua si dita e pushtimit të Ukrainës, Uashingtoni nuk beson se Rusia nuk ka plane për luftë dhe se po tërheq trupat nga kufijtë ukrainas. Sipas SHBA-ve Rusia do përdorë pretekste të rreme për pushtimin e Kievit.

Shtëpia e Bardhë nuk bindet me njoftimin e Ministrisë ruse të Mbrojtjes për tërheqjen e trupave.

Uashingtoni ka deklaruar se rreth 7 mijë trupa shtesë janë vendosur në kufijtë e Ukrainës.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se Rusia mund të përdorë një pretekst të rremë për të pushtuar Ukrainën.

Ned Price: Rusët kanë thënë ditët e fundit se janë të gatshëm të angazhohen në diplomaci, siç kemi sugjeruar vazhdimisht ne dhe aleatët tanë. Por të gjitha shenjat që ne kemi tani, nënkuptojnë se ata duan vetëm të shfaqen sikur duan të depërshkallëzojnë situatën, por nga ana tjetër po mobilizohen për luftë. Ne vazhdojmë të marrim indikacione se ata mund të përdorin në çdo kohë një pretekst të rremë për të justifikuar një pushtim të Ukrainës.

Kujtojmë se mediet perëndimore shpallën ditën e “pushtimit” më 16 shkurt, ngjarje e cila fatmirësisht nuk ndodhi.

Pas kësaj, Departamenti Amerikan i Shtetit tha se Rusia mund të nisë një pushtim të Ukrainës" në çdo moment.

Të premten në Mynih, do të mbahet Këshilli i Sigurimit të vendeve të G7-ës në të cilën u ftuan edhe presidenti ukrainas, Vollodimir Zellenski dhe presidenti rus Vladimir Putin, ky i fundit e refuzoi ftesën.

Zv/presidentja amerikane Kamala Harris do të takohet nesër me presidentin ukrainas për të shprehur gatishmërinë e SHBA-ve për mbrojtjen e sovranitetit të Ukrainës.