Serbia kërcënon Kosovën, ministri i Jashtëm: S’ka negociata, nëse Prishtina nis fushatën për njohje, kundërpërgjigjemi
Në prag të 14-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Sellakoviç ka thënë se Beogradi nuk do të rrijë duarkryq nëse Prishtina nis fushatën për njohje të reja.
Shefi i diplomacisë serbe ka kërcënuar me kundërpërgjigje duke iu referuar fushatës së çnjohjeve të Kosovës nga vendet që Serbia i konsideron aleate.
"Nëse Prishtina mendon se duke bërë fushata që vendet e botës të njohin Kosovën, duhet ta ketë të qartë se edhe ne mund të ndryshojmë mënyrën e sjelljes."
Sellakoviç e ka vlerësuar Pavarësinë e Kosovës si të dështuar dhe shtoi se nuk ka alternativa të arsyeshme për negociata ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Fushata e Njohjeve dhe Çnjohjeve u ndalua për 1 vit, sipas Marrëveshjes së 4 Shtatorit në Shtëpinë e Bardhë.
Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Alleksandar Vuçiç firmosën marrëveshjen me ndërmjetësimin e ish-presidentit Donald Trump.
Sipas 4 Shtatorit, Kosova duhet të ndalonte lobimet për njohjen e vendit, ndërsa Serbia duhet të ndalonte fushatën për të ftuar vende të botës që të mos njihnin ose të çnjihnin Kosovën si shtet.